Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita së bashku me disa drejtues të tjerë të lartë të institucioneve dhe angjesive Kombëtare të Mbrojtjes Civile, këtë të premte gjatë një takimi koordinues në kuadër të sezonin veror kanë folur për hartimin e një plani të gjërë masash për parandalimin e zjarreve dhe forcimin e kapaciteteve operacionale gjatë verës.
Fjala e Lamallarit
Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar një plan të detajuar masash për parandalimin e zjarreve dhe forcimin e kapaciteteve operacionale gjatë verës. Ky plan synon minimizimin e rasteve të zjarreve, rritjen e reagimit në kohë dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit. Do të ushtrohen kontrolle në hotele, resorte, restorante, beach-bar dhe subjekte të tjera me risk, për të verifikuar masat e sigurisë dhe planet e evakuimit. Në këtë proces nuk ka vend për formalitet. Ka vend vetëm për përgjegjësi.
Zjarret nuk parandalohen vetëm nga shteti. Ato parandalohen edhe nga ndërgjegjësimi i komunitetit, nga fermeri i kujdesshëm, nga operatori turistik i përgjegjshëm dhe nga çdo qytetar që kupton se mbrojtja e territorit është përgjegjësi e përbashkët. Dua ta them qartë: do të ketë zero tolerancë ndaj zjarrvënies së qëllimshme dhe ndaj kujtdo që cenon pasurinë natyrore dhe sigurinë e komuniteteve tona.









