Në ceremoninë e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla vlerësoi rolin e PS-së në zhvillimin e shtetit shqiptar dhe konsolidimin e institucioneve gjatë tre dekadave e gjysmë të fundit.
“Sot i kam mbledhur disa mendime dhe po e filloj me një fjali që tha Fatos Nano 35 vite më parë më 12 qershor këtu në këtë sallë; ‘Ne do ta bëjmë këtë vend. Askush nuk e bën tjetër’, tha Fatos Nano më 12 qershor 1991”, tha Balla.
Ai theksoi se ky angazhim është konfirmuar gjatë 35 viteve si në qeverisje ashtu edhe në opozitë, duke kontribuar në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.
Balla nënvizoi suksesin elektoral të Partisë Socialiste, duke theksuar se PS ka fituar 15 nga 20 betejat elektorale në këto 35 vjet.
“Nëse do të më kërkonte ndokush të përmblidhja kontributin e partisë sonë në 35 vjet atë do ta formuloja kështu; Partia Socialiste ka meritën kryesore në Shqipëri të bërjes shtet me institucione funksionale, shërbime europiane, ekonomi që rritet; tre herë më e madhe ekonomia në 2025-n se sa në 2013-n”, deklaroi Balla.
Ai përmendi gjithashtu zhvillimin e shoqërisë shqiptare drejt një modeli me “drejtësi dhe barazi para ligjit, transformimin e vendit në një destinacion turistik atraktiv, si dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Shqipërisë si një shtet me miq e partnerë të besueshëm, që respekton të tjerët duke respektuar në radhë të parë vetveten”









