Mos u dorëzoni, sepse, nëse ju qenkeni kundër zhvillimit të Shqipërisë, atëherë mos vallë mëmëdheun do ta zhvillojnë ata që për tri dekada me radhë e plaçkitën dhe e kriminalizuan atë, apo mediat që i sponsorizon krimi, ku debatuesit dhe elitat e të gjitha ngjyrave u jargaviten pushtetarëve dhe oligarkëve?
Nëse ju qenkeni zëri i interesave të huaja, atëherë mos vallë zëri i shqiptarisë na qenka ai i atyre që bërtasin nëpër studiot televizive vetëm që të mos dëgjohen klithmat e popullit, apo ai i burrështetasve tanë që nuk guxojnë kolegëve të vet grekë e serbë t’ua përmendin Çamërinë dhe Luginën e Preshevës?
Zëri juaj është ajo klithmë e munguar shqiptare. Zëri juaj ia kthen dinjitetin shqiptarisë, sepse ai ngërthen në vetvete thirrjen e shqiptarëve të kudondodhur.
Dhe mos harroni: Shqipëria më shumë ju takon juve sesa neve, që nuk arritëm atë ta mbronim nga hajdutët dhe zhvatësit.
Siç nuk duhet të harroni se shqiptaria kurrë nuk ka pasur kaq shumë maskarenj që duan këtij populli t’ia ngatërrojnë heronjtë me tradhtarët.
Andaj ju keni të drejtë të na gjykoni neve, që ua harxhuam të ardhmen, e ne nuk kemi të drejtë tu gjukojmë juve që shqiptarisë ia ktheni krenarinë dhe dinjitetin.
Ju jeni heronjtë e mi dhe unë përjetë do të mbetem shërbëtori i juaj i përulur.









