Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të udhëtojë këtë javë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt dhe Bahrejn, në vizitën e tij të parë zyrtare në Gjirin Persik qëkurse shpërtheu lufta me Iranin, dhe vetëm disa ditë pasi Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan një marrëveshje kornizë për të sjellë paqe në rajon.
Në qendër të misionit diplomatik të Rubios, i cili synon t’i sigurojë aleatët rajonalë për drejtimin strategjik të administratës Trump ndaj Teheranit, do të jetë gjithashtu forcimi i protokolleve të sigurisë rreth Ngushticës së paqëndrueshme të Hormuzit.
Vizita e tij, nga 23 deri më 25 qershor, do zhvillohet në një kohë vendimtare për politikën e jashtme amerikane: sepse ndodh pas bisedimeve intensive të fundjavës në Zvicër, gjatë të cilave, sipas nënpresidentit JD Vance, u krijua një “themel i fortë për një marrëveshje të suksesshme përfundimtare” për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, konfirmoi se Rubio do të diskutojë “prioritetet rajonale, përfshirë memorandumin e mirëkuptimit me Iranin, përpjekjet për të siguruar kalim të plotë, të lirë dhe të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, si dhe rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Ky udhëtim me rëndësi të lartë nënvizon përpjekjen më të gjerë të administratës Trump për t’i shndërruar përparimet e brishta diplomatike në garanci të qëndrueshme sigurie për partnerët e Gjirit, shumë prej të cilëve janë thellësisht skeptikë nëse Teherani do t’iu përmbahet zotimeve, pavarësisht uljes së fundit të tensioneve.
Balancimi i diplomacisë dhe parandalimit
Misioni i Rubios në Gjirin Persik është t’i çojë përpara dy synime paralele: konsolidimin e momentumit diplomatik të krijuar në Zvicër dhe ruajtjen e arkitekturës e sigurisë rajonale.
Gjatë bisedimeve të fundjavës, nënpresidenti Vance tregoi se Uashingtoni po shqyrton masa për ndërtimin e besimit për ta ruajtur vrullin e negociatave. Veçanërisht, Shtetet e Bashkuara mund ta marrin në konsideratë zhbllokimin e disa aseteve iraniane vetëm për blerjen e mallrave bujqësore amerikane, konkretisht sojës, misrit dhe grurit. Kjo masë do të synonte lehtësimin humanitar duke ruajtur njëkohësisht levën kryesore ekonomike.
Paralelisht, Teherani është pajtuar ta lejojë rikthimin e inspektorëve bërthamorë të OKB-së, duke sinjalizuar një qëllim të ndërsjellë për të rivendosur mekanizmat bazë të verifikimit pas muajsh përballjeje të drejtpërdrejtë.
Megjithatë, Vance paralajmëroi se marrëveshja gjithëpërfshirëse është ende larg.
“Marrëveshja përfundimtare është shtëpia. Ne vendosëm themelet; nuk e kemi ndërtuar ende shtëpinë, por e kemi krijuar një bazë të suksesshme për të arritur një rezultat të mirë për popullin amerikan”, tha Vance.
Për shtetet e Gjirit, garancitë strukturore kanë më shumë rëndësi sesa përparimi retorik.
Landon Derentz, ish-drejtor për energjinë në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së parë Trump, dhe aktualisht nënkryetar për energjinë dhe infrastrukturën në Këshillin Atlantik, theksoi se sfida kryesore e Rubios do të jetë demonstrimi i vazhdimësisë institucionale.
“Udhëtimi i sekretarit Rubio ka të bëjë me qëndrueshmërinë”, tha Derentz për Radion Evropa e Lirë (REL).
“Sfida e tanishme për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit është tejkaluar pothuajse; sfida më e madhe është t’i bindësh partnerët amerikanë në Gjirin Persik se marrëveshja SHBA-Iran mund të ofrojë stabilitetin e nevojshëm për investime afatgjata, rritje ekonomike dhe siguri rajonale”, tha ai.
Derentz shtoi se interesat ekonomike janë të lidhura pazgjidhshmërisht me parashikueshmërinë gjeopolitike./ REL









