Përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë janë mbledhur këtë të diel në sheshin “Skënderbej”, nga ku kanë marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në kuadër të ditës së 8-të të protestës kundër projektit në Zvërnec.
Pas marshimit, protestuesit janë ndalur para godinës së Kryeministrisë, ku pritet të qëndrojnë për disa orë, si në ditët e mëparshme.
Protesta ka nisur me këndimin e Himnit të Flamurit, ndërsa gjatë lëvizjes nëpër rrugët e kryeqytetit, disa drejtues automjetesh janë solidarizuar duke u rënë borive dhe duke duartrokitur protestuesit.
Prej ditësh, protestuesit kanë artikuluar disa kërkesa kryesore, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, Paketën e Maleve, ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe ato për Trashëgiminë Kulturore.









