Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se vendet evropiane të NATO-s po ndërmarrin hapa të rëndësishëm për të forcuar rolin e tyre brenda aleancës, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë nisur një rishikim të gjerë të pranisë së tyre ushtarake në Evropë.
Sipas tij, ky proces po shënon një zhvendosje të përgjegjësive drejt vendeve evropiane, të cilat po synojnë të marrin një rol më aktiv në garantimin e sigurisë së kontinentit.
“Jam mirënjohës që jemi të angazhuar në diskutime intensive mbi këtë çështje me Mbretërinë e Bashkuar dhe Norvegjinë. Ne po forcojmë vendet evropiane të NATO-s; ne po përforcojmë shtyllën evropiane të NATO-s. Ne e dimë se duhet të bëjmë më shumë, dhe po e bëjmë këtë”, u shpreh Merz në Bruksel, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes aleatëve evropianë dhe nevojën për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të kontinentit.









