Prej ditësh së djeshme në Tiranë vazhdon që të zhvillohet debati mbi një amendament të Parlamentit Europian të miratuar për Shqipërinë pas protestave të fundit të nisura për Zvërnecin dhe që më pas kaluan në politike.
Protestuesit dhe një pjesë e mbështetësve të tyre në opozitë e cilësojnë si fitore të protestës së nisur për flamingot këtë amendament, por kryeministri Edi Rama thotë se ai lidhet me Vjoën dhe jo me Zvërnecin.
“Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë!
Në fakt e vërteta është se flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta, pavarësisht se nuk duan ta shohin pasi po shijojnë sfilatën e bukur në bulevard mes sorrave, korbave e llapaqorrave, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë, është prioritet i padiskuteshëm🦩❤️
Sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale🤷🏻♂️
Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standartet e BE-së🇦🇱🤝🇪🇺
Thënë sa më lart, rishikimi i konceptit “fitore” do të ndihmonte sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrët me botokse llajkesh e follouersash, që pas përshirjesh me epsh në nxitjen e histerisë digjitale, të gatiteshin për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i revolucionit imagjinar” tha ai.
19 ditë protesta/ Rama: Pse flamingot nuk duan të ndahen nga sorrat?









