Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mesditën e sotme në afërsi të QTU-së, ku një furgon i linjës Berat–Tiranë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.
Si pasojë e ngjarjes, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitaleve të Tiranës.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, konfirmoi se katër prej të lënduarve ndodhen në sallën e operacionit, mes tyre edhe një i mitur, gjendja e të cilit paraqitet e rënduar.
“Katër pacientë janë në ndërhyrje kirurgjikale, mes tyre edhe një fëmijë,” deklaroi Brataj.
Sipas tij, në total në spitale po trajtohen nga 10 deri në 14 persona të lënduar, ndërsa ekipet mjekësore po monitorojnë vazhdimisht gjendjen e tyre.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.









