Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar pas protestës së mbajtur para Parlamentit, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Sipas raportimeve, gjatë incidentit pati persona të shoqëruar dhe të lënduar, përfshirë edhe efektivë të Policisë së Shtetit. Peleshi ka dënuar aktet e dhunës dhe ka theksuar se protestat duhet të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe brenda kuadrit ligjor.
Postimi i Peleshit:
Asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, deputetëve të Kuvendit apo institucioneve publike. Shqipëria ndërtohet mbi dialogun, respektin për ligjin dhe institucionet, jo mbi përplasjen.
E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore dhe duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore. Kur protesta shndërrohet në dhunë ndaj njerëzve, cenon jo vetëm sigurinë e tyre, por edhe vetë vlerat mbi të cilat ndërtohet demokracia.
Solidaritet i plotë me efektivët e Policisë së Shtetit, të plagosur gjatë kryerjes së detyrës dhe shërim sa më të shpejtë.
Të papranueshme sulmet ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Asgjë e mirë nuk ndërtohet prej dhunës dhe kaosit.
Related