Këtë të mërkurë, i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe përfaqësuesi Special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, mbyllën vizitën e tyre në Prishtinë me një deklaratë për mediat.
Lajçak u shpreh i prerë se qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizimin e vizave. “Kosova meriton liberalizimin e vizave.. Komisioni Evropian ka thënë qartë se Kosova ka plotësuar kushtet, por kjo kërkon konsensus të 27 shteteve.. Vërtetë shpresoj që nuk do të marrë shumë kohë deri në liberalizimin e vizave”, tha ai.
Për Lajçak dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është primar. “Ne e përkrahim dialogun, duhet lënë mbrapa gjërat e vjetra dhe tani ka rëndësi vetëm dialogu. Dy ditët që kaluam në Kosovë kanë qenë produktive, ku kemi takuar krerët shtetërorë e po ashtu edhe opozitën. E çmojmë opozitën që po e përkrahë dialogun me Serbinë. Dua të ripërsëris kemi ardhur në Kosovë që të tregojmë unitet dhe përkrahje për Kosovën”, theksoi ai.
Më tej i dërguar i BE-së tha se mandati i tij është i qartë, lehtësimi i një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Bashkimi Evropian dëshiron ta bëjë të qartë se i takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin se çfarë marrëdhëniesh duan të kenë. Dialogu nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, por me negocimin e marrëveshjes për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.









