Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka përgatitur draftin lidhur me përdorimin e qeseve plastike.
Sipas këtij drafti, qeveria shqiptare parashikon heqjen e përdorimit të këtyre materialeve që nga qershori i këtij viti.
Gjithashtu, Këshilli i ministrave ka parashikuar gjoba për ata që importojnë dhe përdorin qeset plastike.
Përdoruesit e qeseve plastike do gjobiten me 30-100 mijë lekë, ndërsa bizneset që importojnë qese plastike do të penalizohen me 1-1.5 milionë lekë gjoba.
Drafti po prezantohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.
Deputeti i opozitës Agron Duka kundërshtoi gjobitjen për qytetarët që përdorin qese plastike me vlerë 30-100 mijë lekë.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Duka tha se shumë qytetarë nuk e kanë idenë se për sa kohë mund të dekompozohet një qese plastike. Ai kërkoi që këto penalizime të rishikohen.
“Që këto duhet të zhduken ka ardhur koha. 2-3 pyetje. A ka prodhues qesesh plastike në Shqipëri? Mund të jenë investime miliona euro. Për penalizimet e përdoruesve, më duket e tepërt. Për prodhuesit po. Një njeri që 4 klasë shkollë, ku i di ai i shkreti që ç’a qese ka dhe se sa dekompozohet? Më duket e padrejtë. Përdoruesit nuk janë të informuar për përdorimin e qeseve. Tjetra që kam unë për ligjin e menaxhimit të mbetjeve për sa i përket pandemisë është njëlloj si qeset. Duhet të merreni edhe me këtë se jemi mbushur me tamponë dhe shirina”, u shpreh deputeti i opozitës Agron Duka.
/5pyetjet.al









