Kryeministri britanik Boris Johnson ka hartuar një plan prej gjashtë pikash për të zmbrapsur Vladimir Putinin, në një përpjekje për të marrë drejtimin e përpjekjeve globale për t’i dhënë fund tmerrit të luftës në Ukrainë, shkruan Daily Mail.
Presidenti rus u përball dje me një valë të paprecedentë zemërimi ndërkombëtar për dështimin e një marrëveshje të arritur për armëpushimin, që do të lejonte refugjatët ukrainas të largoheshin nga vendi përmes korridoreve humanitare.
Ndërsa evakuimi nisi të shtunën, forcat ruse nuk ndalën së bombarduari me artileri, duke bërë që procesi të ndërpritet sepse nuk garantohej siguria e qytetarëve.
Rreth 200,000 civilë ishin caktuar të largoheshin nga qyteti port i Mariupol dhe 15,000 nga Volnovakha në Ukrainën lindore duke nisur nga mëngjesi i djeshëm, si pjesë e një marrëveshjeje të përkohshme armëpushimi të mbikëqyrur nga Kryqi i Kuq.
Në planin e tij të veprimit, kryeministri britanik Johnson bëri thirrje për: krijimin e një koalicioni ndërkombëtar humanitar për Ukrainën; një nxitje për vetëmbrojtjen ushtarake të Kievit; rritje të sanksioneve ndaj Moskës; përpjekje të bashkërenduara diplomatike për të de-përshkallëzuar krizën; dhe ‘një fushatë të shpejtë për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë në të gjithë zonën euro-atlantike’.
Liderët botërorë duhet të bëjnë një përpjekje të shtuar për të siguruar që pushtimi “i tmerrshëm” i Rusisë të dështojë, tha Boris Johnson, shkruan BBC.
Duke shkruar në New York Times, kryeministri tha se “nuk janë historianët e ardhshëm, por populli i Ukrainës që do të jetë gjykatësi ynë”.
Johnson përcaktoi një plan me gjashtë pika, ku përfshihet dhe forcimi i shpejtë i mbrojtjes së vendeve anëtare te NATO-s.
Por laburistët kritikuan kryeministrin britanik se nuk veproi më shpejt lidhur me sanksionet ndaj Rusisë.