Të martën, presidenti amerikan Donald Trump u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe propozoi që palestinezët të largoheshin nga Gaza për t’u strehuar në Jordaninë fqinje, Egjipt dhe vende të tjera të rajonit. Shtetet e Bashkuara, tha ai, do ta marrin Rripin e Gazës dhe do ta kthejnë atë në një rivierë të Lindjes së Mesme.
Trump argumentoi se, nëse marrëveshjet e zhvendosjes do të ishin “vërtetë të mira”, palestinezët nuk do të dëshironin të ktheheshin më në Gaza. Ky sugjerim nuk është i ri, pasi Trump e ka prezantuar edhe më herët, por ndryshimi ishte se kësaj radhe njoftoi se janë SHBA-të që do të marrin në dorë kontrollin e Gazës dhe do ta rindërtojnë atë.
Megjithatë, ideja e zhvendosjes është refuzuar kategorikisht nga udhëheqësit e Egjiptit dhe Jordanisë, të cilët paralajmëruan se një masë e tillë mund të “kërcënojë stabilitetin e rajonit, të rrezikojë zgjerimin e konfliktit dhe të minojë perspektivat për paqe dhe bashkëjetesë”.
Edhe Arabia Saudite ripohoi qëndrimin e saj “të vendosur dhe të palëkundur” se nuk do të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin pa krijimin e një shteti palestinez. Ndërkohë, ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, reagoi duke deklaruar se banorët e Gazës dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre dhe t’i rindërtojnë ato.