Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, pas kërkesës së këtij të fundit, me temë kryesore mënyrën e përballimit të efekteve negative pas 19 ditësh të fillimit të sulmit rus në shumë zona të vendit.
Kryeministri grek e siguroi Zelenskyn për mbështetjen e plotë të Ukrainës nga qeveria greke, për dërgimin e ndihmave dhe pritjen e refugjatëve ukrainas apo edhe të homogjenëve grekë që jetojnë në Mariupol dhe zonat përreth.
Në lidhje me ta u diskutua për situatën dramatike në gjithë qytetet apo fshatrat ku jeton komuniteti grek dhe nevojën për hapjen e një korridori humanitar për dalje të sigurt prej andej dhe akses në ndihmat humanitar.
Mitsotakis shprehu interesin e tij për lëvizjen e sigurt të konsullit të përgjithshëm grek në Mariupol dhe të gjithë atyre që ishin të bllokuar në godinën e OSBE-së.
Sipas njoftimit zyrtar, ai vuri në dukje se BE dërgoi një mesazh të rëndësishëm politik mbështetjeje nga Franca javën e kaluar për perspektivën evropiane të Ukrainës,ndërsa theksoi se zbatimi i plotë i sanksioneve nga të gjithë partnerët dhe aleatët do të ndihmojë në presionin ndaj palës ruse për të ndaluar sulmet.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas ka bërë një postim përkatës në Twitter ku ndër të tjera shkruan: “Pata një bisedë me kryeministrin grek Kyriakos Mitostakis. Ju referova reagimit ndaj agresionit rus dhe vlerësimit për ndihmën ushtarake të mbrojtjes si dhe mbështetjen humanitare të Greqisë. Theksova nevojën për sigurimin e korridoreve humanitare, veçanërisht në Mariupol. Diskutuam gjithashtu iniciativën e Ukrainës për t’u bashkuar me BE” .