Mediat në Kosovë shkruajnë se ka shkuar në pesë numri i të arrestuarve lidhur me sulmin fizik që ndodhi dje ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka konfirmuar se tashmë në total janë pesë të arrestuar.
“Lidhur me rastin pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm, të ndodhur gjatë ndeshjes sportive të futbollit në Gjilan, Policia e Kosovës ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të arrestimit të personave të dyshuar dhe sjelljes së tyre para organeve të drejtësisë”, njoftoi Hashani.
Dy nga të dyshimtit pas intervistimit janë ndalur për 48 orë për veprën penale “Lëndim trupor”, ndërsa tre të tjerë për “prishje të rendit dhe qetësisë publike”. “Si rezultat i hetimeve intensive, deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar, dy nga të dyshimtit pas intervistimit në bazë të procedural ligjore ndalen për 48 orë për Veprën penale “Lëndim trupor”, ndërsa tre të tjerë “prishje e rendit dhe qetësisë publike”, rasti procedohet në procedurë të rregullt. Hetimet dhe veprimet policore lidhur me rastin janë duke vazhduar”.
Gjithashtu, u njoftua se të gjitha veprimet policore janë duke u ndërmarrë dhe do të ndërmerren në vijim, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Incidenti ndodhi dje në derbin e javës së 27-të në Superligën e Kosovës në futboll, mes Gjilanit dhe Ballkanit.
Gjithçka shkoi mirë deri në minutën 90+5, kur portieri i Gjilanit, Enea Koliçi, shënoi me kokë për ta barazuar rezultatin në 1-1 dhe pastaj ky derbi mori hijeshi të keqe.
Tifozët e Gjilanit shpërthyen pas golit të barazimit. Përveç festës, ata u futen edhe në fushën e lojës dhe sulmuan brutalisht portierin e Ballkanit, Stivi Frashërin. Disa prej tifozëve e kapen nga fyti Frashërin dhe e shqelmuan direkt në kokë.









