Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi dyshohet se kanë shqyer fletëvotime gjatë procesit zgjedhor në Prishtinë dhe Drenas.
Sipas Policisë, bëhet fjalë për dy raste të ndara të evidentuara gjatë ditës së zgjedhjeve, ku të dyshuarit kanë dëmtuar materialin e votimit.
“Janë hapur dy raste për asgjësim të dokumentit të votimit në Prishtinë dhe Drenas, ku dyshohet se janë dëmtuar fletëvotimet.
Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet po zhvillohen në koordinim me prokurorinë,” deklaroi Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për të dy rastet po vazhdojnë.









