-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

PD në Shkodër, historia e “zarfit të mbyllur të natës” dhe e korrierit të Komitetit

Kryesoret

Nga Bedri Islami

“Djalli i kryengritjes, thonin anglezët e lashtë – merr shpesh pamjen e engjëllit të reformës”. E gjithë ajo që po ndodh në thelbin e “Rithemelimit”, pamjen e ka reformuese, përmbajtjen dërmuese.

Disa ditë më parë, në bashkinë e Shkodrës, qytetit të madh verior, tolerant kur nuk duhej dhe goditës po ashtu, u bë ndryshimi i kryetarit të saj. Në vendin e Ademit u ul Spahia. Një lëvizje e pritur pas 5 marsit, ku përfaqësuesi i asaj pjesë të PD-së që njësohet me Rithemelimin, pikërisht Spahia, ishte më i votuari.

Dy lëvizjet e para të kryetarit të ri ishin largimet nga detyra të administratorëve të Velipojës dhe të Postribës, të cilët, megjithëse brenda llojit, kishin mbështetur kandidatin tjetër të PD-së, tashmë të njohur ai e bravave dhe e vulës, zotin Bushati.

PD-ja zyrtare, së bashku me drejtuesin e saj, të revoltuar, denoncuan largimet, duke i cilësuar hakmarrje politike dhe vazhdim i luftës së klasave. Në fakt, nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme dhe që nuk është tashmë vazhdë e një tradite të krijuar që nga viti 1991. Në praktikën e saj politike PD në Shkodër e jo vetëm aty ka pasur pikërisht këtë linçim politik, largimet masive dhe të dëshmuara si ndjenjë revanshi, dhe, nëse tani kjo i kthehet pas nga të zgjedhurit brenda llojit, nuk përbën asnjë çudi dhe asgjë të papritur. Një ditë , ose një tjetër, çomanga e fatit do të rikthehet dhe goditja do të jetë e dhembshur. Kjo ka ndodhur edhe tani e do të vazhdojë të ndodhë edhe më tej. Një ditë të ardhshme mund të ndodhë edhe më tej. Kur kjo ndodhte mbi kurrizin e të tjerëve, pavarësisht se cilët ishin dhe sa të aftë kishin qenë, për PD-në kjo ishte e dosmosdoshme, tani që gjrat rikthehen, është jo tolerante, hakmarrje politike, luftë e re klasash.

Ta marrim qetësisht. Spahia që drejton sot, qoftë edhe për një vit, bashkinë e Shkodrës, është Spahia i dytë në këtë post. I pari ishte babai i tij, mjeku Ali Spahia.

Pas zgjedhjeve të para pluraliste, 31 mars 1991, rënien së qeverisë Nano dhe krijimit të qeverisë së Stabilitetit, ndoshta më e integruara dhe me autoritete të njohura politike e shkencore, u vendos që kjo të shtrihej në të gjithë Shqipërinë, duke krijuar Komitetet Ekzekutive pluraliste, si quheshin aso kohe. Në rrethet ku PD kishte fituar shumicën e deputetëve, do të drejtonte ajo, në të tjerat fituesit e 31 marsit.

Në Shkodër do të drejtonte PD dhe ajo delegoi në këtë post Ali Spahinë. Mjek i njohur, megjithë enigmat që mbështillnin dënimin e tij.

Ndër veprimet e para që bëri Spahia i parë ishte largimi nga detyra i të gjithë drejtuesve të ndermarrjeve dhe institucioneve të rrethit. Shkodra kishte aso kohe 81 qendra pune e prodhimi, duke filluar nga më e rëndësishmja, Uzina e Telave dhe Kabllove, në të cilën porsa ishin montuar makineri moderne austriake dhe që tregtonte thuajse në 100 vende të botës, deri në fabrikat më periferike.

Largimi i drejtuesve të saj, shumë nga të cilët ishin specialistë të shkallës së lartë, të kualifikuar dhe specializuar në vende të ndryshme, u bë në mënyrën më të pazakontë.

Natën, një korier i komitetit, shkonte në fabrikë apo në kombinatin përkatës dhe, pa i thënë asgjë askujt, fuste nën deerën e drejtuesve një zarf të mbyllur, në të cilin ishte shkruar shkurtimisht se ishte larguar nga detyra dhe se brenda asaj dite duhej të dorëzonte zyrën.

Kishte drejtues, inxhinierë apo kryeinxhinierë, ekonomistë dhe shkencëtarë që kishin punuar që prej dekadave aty, e kishin ngritur atë fabrikë apo institucion, ishin figura të njohura, kishin bërë të pamundurën që, edhe në një sistem të mbyllur politik, të sillnin përvoja shkencore të progresit, dhe, pa u thënë askush një fjalë të mirë, të bisedohej me to, befas u gjendën në rrugë.

Fshesa e zarfeve të mbyllur përfshiu edhe figura të jashtëzakonshme shkencore si profesor Hysen Laçej, drejtori i Institutit tëMisrit dhe Orizit, figurë madhore e shkencës, profesor Ahmet osja, zëvendësdrejtor i këtij Instituti, të cilët, sëbashku, kishin bërë të mundur që në qindra e mijra hektarë të merreshin rendimente të larta në misër e në oriz, që tani mund të duken utopi; u larguan drejtues që kishin bërë të pamundurën për të qenë në korent të zhvillimeve dhe kishin bërë shumë për qytetin.

Askush nuk i pyeti, askush nuk mori mundimin të dinte për fatin njerëzor të tyre, e aq më pak, për arritjet që kishn pasur.

Në vendin e tyre shkuan militantë të zjarrtë, pjesë e atyre që kishin bërë 14 dhjetorin e vitit 1990, sinjali i parë se demokracia do të ishte dhunë, që kishin bërë 2 prillin, shenjë se në demodemokraci do të kishte edhe viktima dhe 2 prilli i vitit 1991 është parathënia e marsit të vitit 1997.

Këto “të panjohur” u dërguan të drejtojnë Kombinatin e Drurit dhe pas pak kohësh kombinat nuk kishte më; u dërguan të drejtojnë fabrikat e ndërmarrjes ushqimore dhe pas pak kohësh nuk kishte më as fabrikë qumështi, as fabrikë mielli, as fabrikë vere; u dërguan të drejtojnë uzinën e telave dhe ,pavarësisht se kishte drejtues që donin të bënin ndryshimin e duhur, politika shkatrroi gjithçka. Instituti i Misrit dhe Orizit, që prodhonte farë të cilësisë së lartë , tani nuk ekziston. Në vendin e tij janë disa firma seksere, në qark të mbyllur, që sjellin atë farë misri që nuk i duhet askujt gjë; nuk e di nëse mbillet më oriz në Shqipëri; u mbyll instituti i Zooteknikës, më i shkëlqyeri në Shqipëri dhe kuajt e famshëm u vodhën militantisht. Vreshtat e mëdha të Shtojit u dëgjën, varietet e njohura të rushit humbën, mundi i shkencëtarit Todo  Gjermani shkoi në tym e flakë. Në pak kohë, zona industriale e qytetit, ku ishin 45 mijë punëtorë , u shkretua, asgj nuk mbeti, veç zallit të bardhë dhe mureve të rrënuara.

Pikërisht se u dërguan figura të panjohura, si shenjë revanshi dhe triumfi, “ tani erdhi koha jonë”, dhe specialistët e shkëlqyr të Shkodrës u detyruan të bëjnë njerën nga dy rrugët: ose të ikin nga qyteti i tyre, ose të shesin rrugëve çikërrima për mbijetesë.

Drejtuesit e vjetër u harruan, Shkodra e njohur si mendim shkencor dhe progres u bë qyteti i hijeve dhe në hije vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite. Seleksionimi politik, “ ky është i yni, ky nuk është”, megjithëse ishte votuar në shumicë dërmuese pro opozitës së kohës, vazhdon edhe tani, e askush nuk duhet të çuditet.

Drejtuesi  i Komitetit Ekzekutiv, Ali Spahia i njihte të gjithë këto drejtues të hershëm, ua dinte vlerat dhe meritat, me shumë prej tyre kishte pasur miqësi dhe kishin qenë pjesë e të njëjtit hall, mbijetesë.

Zarfet me firmën e tij shkruheshin diku tjetër, në mbërmjet pasionante në selinë e PD-së, ku tani, vrullshëm, po ngrihej një kastë e re politike, më synimin e përmbysjes së gjithçkaje për të ndërtuar asgjënë.

Këto që po bën tani kryetari i ri i Bashkisë janë normaliteti ynë politik. Ai do të vazhdojë edhe më tej në të gjithë këtë vit që ka para mandatit të tij , e ndoshta edhe në vitet e ardhshme.

Si asnjë qytet tjetër, Shkodra e ka pranuar revanshin dhe është bërë pjesë e tij. Ajo ka dalë nga vetja. Është tjetërsuar dhe ndjej dhembje për këtë.  Shkodra, qyteti që nuk pranonte të konformohet, që kërkonte të gjykonte në ndërgjegjen e vet çdo gjë, që ishte mësuar të jetë në pakicë dhe që, si e ka zgjedhur rrugën e vet, i qëndron besbik asaj, tashmë nuk është më. Ndaj, asgjë për t’u çuditur./ Botuar në DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit