Gazeta franceze “Liberation” në një artikull lidhur me zgjerimin e BE-së thotë se lufta në Ukrainë do të përshpejtojë procesin e integrimit për Shqipërinë.
“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian të vendit të vogël në bregdetin e Adriatikut mund të materializohet më shpejt nga sa pritej, dhe për shkak të pushtimit rus në Ukrainë. Synimet janë të qartë; të bashkohet politikisht dhe të forcohet ushtarakisht Ballkani Perëndimor”.

Baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë është një lëvizje që ka tërhequr vëmendjen e gazetës. Ristrukturimi i saj, i nisur në vitin 2018 u përshpejtua nga kriza ukrainase e cila favorizon më shumë bashkëpunimin brenda aleancës.
“Ndryshimi në kontekstin e sigurisë globale i ka dhënë tani një shtysë të konsiderueshme përfundimit të projektit”, tha një zyrtar i NATO-s kur u pyet në lidhje me këtë bazë ku po bëhet restaurimi i pistës, modernizimi i kullës së kontrollit, ndërtimi i njësive të reja magazinimi.