Kryeministri Edi Rama u ka kthyer përgjigje deputetëve të opozitës lidhur me faktin që nuk e përjashtoi nga grupi deputetin Orlando Rakipi, djalin e Aqif Rakipit, që u sanksionua nga SHBA. Kreu i qeverisë i tha opozitës se përpara se t’i kërkojnë llogari shumicës për Rakipin, të shoh Sali Berishën që synon postin e kryetarit të PD-së.
“Sa për standardin, kur t’i vini gishtin këtu, një deputeti, që është si ai, që e keni në mes të shtëpisë tani të shtrirë dhe nuk dini ç’ti bëni, atëherë flasim për standardin. Ma gjeni ku është? Po, po.
Bëni kujdes sepse jemi në demokraci, jemi parti të lira dhe gjykojmë njeriun drejtpërdrejt dhe nuk merremi me familjen, fisin apo farën, nuk është kjo puna jonë” tha Edi Rama.
“Mos na i qani hallin as për marrëdhëniet me SHBA-në, Europën apo shqiptarëve, që për fat të keq, janë ekskluzivet tonat. Na e keni lënë ju. Edhe me shqiptarët, edhe me Amerikën edhe Europën. Këto lojërat me flamur amerikan ju bëjnë qesharakë” tha ai.