30 Prill. Sot Partia Demokratike, që drejtohet nga grupi i Rithemelimit zhvillon Kuvendin për zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit të ri Kombëtar dhe organeve të reja. Kuvendi do të ketë 1100 delegatë të sapozgjedhur nga proceset që Berisha organizoi në bazë edhe për kryetarët e degëve.
Në garë janë mbi 400 emra, një pjesë të njohur, figura të vjetra me eksperiencë që Sali Berisha i ka rikthyer, por edhe të rinj, artistë, sportistë, mjekë, gazetarë, etj që i janë bashkuar rikthimit të ish-kryeministrit.
Në këtë Kuvend nuk do të marrin pjesë disa prej deputetëve të grupit që janë rreshtuar hapur kundër Sali Berishës, si kryetari i grupit Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, por edhe Grida Duma, etj. Pritet për t’u parë nëse Berisha ka bindur Salianjin.
Sot Sali Berisha do të ketë edhe një përgjigje për dy zyrtarët e lartë amerikanë që ishin dje në Tiranë, por që takuan dhe njohën si drejtues të opozitës Enkelejd Alibeajn. Kuvendi ku pritet që të flasin rreth 20 figura të spikatura, do të miratojë edhe datën për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së, që do të jetë 21 ose 22 Maji.
Berisha për hir të luftës me SHBA-në u ka shtrirë dorën të gjithëve, çka i ngjan një koalicioni “tren” që po fton çdo “vagon” që mundet, mik të larguar apo armik, por përçarja është e fortë dhe betejën më të madhe ish-kryeministri në fakt e ka me kohën, pasi prova e parë, zgjedhjet lokale janë vetëm një vit larg.
A do të arrijë që ta bashkojë PD-në? Më parë do të flasë gjykata e Apelit. Megjithatë sot Pallati i Kongreseve është blu, por jo i të gjithë demokratëve.