Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përmes një statusi në Facebook tha se PD kërkon ngritjen e Komisionit Parlamentar për investimet strategjike. Ky ligj sipas saj, tregon më së miri kapjen e shtetit dhe korrupsionin me votë në parlament.
Deputetja bën të ditur se ka depozituar një kërkesë në ministrinë e financave dhe ekonomisë për të mësuar se kush janë përfituesit nga ky ligj. Ajo thotë se ende nuk ka marrë asnjë informacion, duke theksuar se është jetike që parlamenti dhe qytetarët të mësojnë realisht eficencën dhe kujt po i shërben ky ligj!
“Ligji investimeve strategjike është një nga ligjet që tregon më së miri kapjen e shtetit dhe korrupsion me votë në parlament! Prandaj së bashku me 6 kolegë paraqitëm nismën për ngritjen e një komisioni parlamentar për Investimet Strategjike. Në vitin 2015 kur ky ligj u paraqit në kuvend në emër të PD kam depozituar amendamente pasi qe e qartë arsyeja pas këtij ligji. Oligarkia që qëndron pas qeverisë. Amendamentet lidheshin ngushtë me nenet në lidhje me pronën private dhe atë publike. Ligji investimeve Strategjike cënon të drejtën kushtetuese të pronës. Fatkeqësisht mazhoranca nuk miratoi amendamentet dhe po ashtu vazhdoi të zgjaste pafundësisht ligjin dhe efektet e tij në kurriz të pronarëve dhe pronës private dhe publike. Kush janë përfituesit realë të këtij ligji?! Kam depozituar një kërkesë në ministrinë e financave dhe ekonomisë për të mësuar përfituesit nga ky ligj dhe ende sot nuk kam një informacion. Ligji në mënyrë korruptive është zbatuar vetëm për projekte strategjike jo transparente, me kritere të paplotësuara. Mbi të gjitha ky ligj nuk ka tërhequr investime serioze nga partnerët tanë strategjikë madje është përdorur për qoka për miqtë e qeverisë! Ndaj është jetike që parlamenti dhe qytetarët të mësojnë realisht eficencën dhe kujt po i shërben ky ligj!”, shkruan Tabaku.
Pjesë nga kërkesa e PD-së
Mbi këto projekte ka pasur hije dyshimi për korrupsion, favorizim, paligjshmëri, klientelizëm dhe arbitraritet, duke dhënë si shembull tre procedura:
1. për rastin e Portit të Durrësit;
2. rastin e anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë (PS), z. Gazmend Paja, i cili ka përfituar 133 mijë m2 në Dhërmi;
3. rastin e bashkëshortit të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe deputetes së PS-së, znj. Olta Xhacka, ish-deputeti socialist z. Artan Gaci, i cili ka përfituar të drejtën e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
Me qëllim shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike, vlerësimin e mundësisë për hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” me qëllim parandalimin e të gjitha praktikave të paligjshme, abuzive apo korruptive, duke pasur parasysh edhe rëndësinë thelbësore që ka për ekonominë tonë rritja e përthithjes së investimeve vendase dhe të huaja, nëpërmjet procedurave të ligjshme, transparente dhe meritokratike, cmojmë të nevojshme ngritjen e një Komisioni të Posacëm Parlamentar për Investimet Strategjike.
Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij:
(i) shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike;
(ii) hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”;
(iii) shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për Investimet”.









