Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje për solidarizim me kauzën humane të dhurimit të gjakut, në ditën e talasemisë.
Meta shprehet se nuk duhet të harrojmë se vetëm 10 minuta mjaftojnë për të dhuruar gjak, për të shpëtuar jetën e një fëmije talasemik.
Ai shton se është përgjegjësi e institucioneve për të shumëfishuar projektet për rrëzimin e barrierave burokratike dhe eliminimin e pabarazive shëndetësore, me qëllim garantimin e një jete normale dhe cilësore.
Statusi i presidentit Ilir Meta
Dita Botërore e Talasemisë na kujton sot rëndësinë e solidarizimit me kauzën humane dhe fisnike të dhurimit të gjakut. Të mos harrojmë se mjaftojnë vetëm 10 minuta për të dhuruar gjak, për të shpëtuar jetën e një fëmije talasemik!
Krenar dhe falenderues për rolin e jashtëzakonshëm dhe sensibilizimin frymëzues, që “Aleanca për Dhurimin e Gjakut” ka luajtur në këto vite për garantimin e gjakut të mjaftueshëm dhe të sigurt për nevojat jetësore të fëmijëve dhe çdo pacienti me talasemi.
Por është përgjegjësi e të gjithëve, në veçanti e institucioneve përgjegjëse, për të shumëfishuar përpjekjet për rrëzimin e barrierave burokratike dhe eleminimin e pabarazive shëndetësore, me qëllim garantimin e një jete normale dhe cilësore, nëpërmjet furnizimit të sigurt me gjak dhe trajtimit spitalor dinjitoz të pacientëve me talasemi. Mposhtni indiferencën që vret! Dhuroni gjak, shpëtoni jetë!