Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i është përgjigjur Edi Ramës pas sulmeve kundër drejtësisë së re, që i kërkoi që të “kafshonte” jo vetëm cironkat në oborrin e PS-së, por edhe “peshqit” e mëdhenj, konkretisht sipas tij, të hetojë Sali Berishën dhe Ilir Metën. Për Kryemadhin, Ramës i ka hyrë frika se po i afron ora e lakut për të dhënë llogari para drejtësisë për inceneratorët dhe dosje të tjera.
“Në vitin 2016 miratuam me 140 vota dhe ndihmën e SHBA-BE një reformë në drejtësi që të hiqnim përfundimisht duart e politikës nga drejtësia. Sot, kryeministri i vendit e ka vendosur partinë e tij në pushtet, në funksion të kërcënimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që të mos dënojnë korrupsionin e grupit të tij.
Gjithçka e thënë me logon e partisë socialiste në sfond. Moralisht e turpshme, ligjërisht e dënueshme!Rama deklaron se ka udhëhequr Reformën në Drejtësi, por ajo nuk është si reforma në ujin e pijshëm që ai me Alqin e inceneratorëve e përdorën për të zhytur drejt falimentit bashkitë dhe duke rënduar familjet shqiptare përmes taksave të larta. Reformën në Drejtësi e konceptuam dhe miratuam me 140 vota që të mos ishte Ramaforma e radhës.
Sot shohim si Rama i ngërdheshet prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke i thënë se i ka ndihmuar të kalojnë vetingun, ndaj është herezi që sistemi i drejtësisë të hetojë kryekorruptuesin e sistemit dhe bandën e tij.Një sistem i pavarur i drejtësisë është jetik për të frenuar shpopullimin dhe nxitur integrimin evropian të Shqipërisë, ndërsa synimet e kryeministrit janë krejt të ndryshme. Tik Tak ora jote po afron” shkruan Kryemadhi.