Ish-kapiteni i ekipit Kombëtar Sulejman Demollari ka reaguar me anë të një statusi në Facebook për eventin e zhvilluar këtë të diel në Tiranë, ku ishte e pranishme Kupa e Botes.
“Turpi i Coca Cola-s me Kupën e Botës në Tiranë! Na ftuan sot për të parë Kupën e Botës por nuk na lanë as të bëjmë një foto. Ishte e turpshme që të shikoja aq figura të mëdha futbolli në atë ceremoni dhe Kupa ishte fshehur për ne njerëzit e futbollit.
Vetëm Coca Cola mund ta bëj që të të ftojë për ceremoninë e ardhjes së Kupës së Botës në Tiranë dhe të të mbaj larg nga trofeu dhe të na tregoj muzeun e FSHF që ishte spostuar në hollin e Kryeministrisë.
Si ish kapiten i ekipit Kombëtar dhe me kontribute në këtë futboll, nuk jam ndjerë asnjëherë më i ofenduar sesa sot nga një sjellje e tillë. Kam qenë në aktivitete të njëllojta kudo nëpër botë, por asnjëherë në një turp me si kjo me Coca Cola”, shkruan Demollari.
Sulejman Demollari është futbollist shqiptar, figurë e shquar e sportit shqiptar, Mjeshtër i Merituar i Sportit. Demollari ishte futbollisti më popullor në Shqipëri i dekadës së 1980-1990. Në moshën 19-vjeçare u shpall ndër 10 sportistët më të mirë të vitit dhe iu dha titulli, “Mjeshtër Sporti”. Është fitues disa herë i anketës së “10 sportistëve më të mirë të vitit”.