Policia e Kukësit ka reaguar zyrtarisht pas arrestimit të Ismail Morinajt, i cili po kthehej nga Kosova në atdhe. Policia sqaron se për heroin që ngriti dronin në mes të Beogradit kishte një urdhër ndalimi për të vuajtur 5 muaj burg për armëmbajtje pa leje.
“Efektivët e Komisariatit të Policisë Kukës ndaluan shtetasin Ismail Morinaj, 40 vjeç, banues në fshatin Shikaj, Kukës, i shpallur në kërkim për llogari të DVP Durrës.
Ky shtetas u ndalua pasi gjatë verifikimeve ka rezultuar person në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka vendosur revokimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për lirimin e tij me kusht dhe ka caktuar vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit, 5 muaj e 12 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Procedurat e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Durrës” deklaron policia.