Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë dhe Ministria e Shëndetësisë në konferencë për media kanë konfirmuar se nuk është regjistruar në Kosovë asnjë rast me lijën e majmunit.
Por, megjithatë institucionet kanë paralajmëruar se kanë nisur përgatitjet për përballje të mundshme me infeksionin.
Zëvendësministrja e ministrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha tha se janë duke monitoruar masat që po ndërmarrin shtetet tjera që po përballen me këtë infeksion.
“Në bazë të të dhënave, nuk ka deri më tani person të dyshuar për këtë li. MSH-ja po e monitoron situatën dhe po përgatit rekomandime. Duke qenë se rastet e para janë konfirmuar në rajon e botë, rreziku që të përhapet edhe në Kosovë është eventual”.
Ndërsa, ka bërë të ditur se lajm i mirë është shpejtësia e përhapjes nuk është e ngjashme me atë të COVID-19.
“Lajm të mirë përbën fakti që shpejtësia e përhapjes s’është sikur e COVID-19. Jemi duke shikuar masat që po ndërmerren nga shtetet tjera”, ka thënë Gexha-Bunjaku në një konferencë për media të mërkurën.
Gexha-Bunjaku, ka shtuar se tashmë në IKSHPK kanë nisur përgatitjet për testet dhe se po punohet bashkë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë që të ndahen këshillat e duhura.
“Qytetarët janë këshilluar të ndjekin udhëzimet e mjekëve nëse kanë skuqje në lëkurë”.