Seanca e sotme plenare e Kuvendit të Shqipërisë u mbyll me debate të forta mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Lideri historik i së djathtës kërkoi fjalën pas Spiropalit, e cila e sulmoi në mënyrë indirekte duke i lexuar poezinë e Luan Myftiut “Monologu i Pendesës”.
“Luan Myftiut, në moshë të vogël, komunistët i pushkatuan babain. E ëma e tij, nga tronditja, përfundoi në spital, duke lënë fëmijët të vetëm. Më vonë, atë e dënuan për propagandë.
Kreu dënimin në Spaç dhe doli me ardhjen e demokracisë dhe u vendos në Tiranë. Më 2001 shkroi poezinë e tij emblematike, “Monologu i pendesës”, për sojin më të ligë të komunistit, që është anti-komunist.
Të besuam, të zgjodhëm, votuam për ty. Ti na rrahe, na shave, na ndave në dy. Ne u ngritëm të hiqnim nga zverku ty djall, ti na rrope, na dogje, ne dhe po na kall. Je pashpirt, hipokrit, pabesinë ke moral, sa dhe shokët mohon.
Je mashtrues, se të mburr kur të bën fukara, ta lë fajin në derë, je pacipë, maskara. Je një horr, të grabit sy ndër sy dhe pa turp të bën qorr.
Për kolltuk del nga varri lugat, që të jesh po ti Zot, s’le shenjtor pa mëkat”, tha ministrja mes të tjerash.
Felaj nuk pranoi të hapte mikrofonin për Berishën që donte të replikonte me argumentin se nuk i përmendi emrin.
Sali Berisha bllokoi foltoren. “Ju lutem zoti Berisha lironi foltoren. Nuk iu është dhënë fjala”.
Drejtuesja e seancës Ermonela Felaj e kërcënoi se nëse nuk lironte foltoren e Kuvendit do i kërkonte gardës ta largonte. “Më ka ngelur t’i kërkoj gardës të lirojë foltoren”. Berisha nuk e zgjati më shumë duke u ulur.