Nga Dylber Balla
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim mblodhi në një darkë ish-ministrat e Jashtëm të Shqipërisë në kuadër të 100 vjetorit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Selia diplomatike shpërndau për mediat pamjet e momenteve të pritjes dhe trokitjes së gotave mes ambasadores dhe të ftuarve. Presidenti Ilir Meta dhe Kim duket se kanë hedhur pas krahëve tensionet e vitit të kaluar duke u shfaqur krahëhapur dhe të buzëqeshur.
Gjithashtu edhe Lulzim Basha ka shtrënguar duart, jo vetëm me ish-ministrat e PS-së, por edhe Presidentin dhe grupin e “Foltores” që e larguan nga selia e PD-së, ndërsa në tryezë e ulën mes socialistëve Haxhinasto dhe Islami.
Për të mësuar më shumë rreth darkës dhe bisedës, “5pyetjet.al” kontaktoi disa nga ish-ministrat e Jashtëm që ishin të pranishëm. Tritan Shehu u shpreh se darka ishte pa protokoll në një atmosferë miqësore. “Ishte një darkë krejt normale. E thjeshtë dhe njerëzore”.
Shtrëngim duarsh me ish-kryetarin Basha? “Me të gjithë u përshëndetëm, atmosfera ishte tepër miqësore, e këndshme dhe jo e rënduar. Nuk kishte protokoll dhe biseda ishte e lirshme”.
Por më shumë folën për të shkuarën apo për të ardhmen, sikur kërkon Yuri Kim? “Biseda ishte e mbushur me kujtimet e së kaluarës, për ngjarjet e viteve tona, kontributin që është dhënë për forcimin e marrëdhënieve me SHBA dhe për 100 vjetorin e dytë” tha ai te “5pyetjet.al”.
Aldo Bumçi ishte më diskret. “Nuk kam shumë për të thënë, ishte një darkë ku ishin të ftuar të gjithë ministrat e Jashtëm në kuadër të 100 vjetorit të marrëdhënieve me SHBA-në” tha ai. Pjesë e darkës ishte edhe Arian Starova. “Darka ishte miqësore, shprehëm mendimet përshtypjet, nuk kishte ndonjë gjë të veçantë. Ishin shumë veta të ftuar dhe nuk kishte vend për shumë detaje” tha ai “5pyetjet.al”.
Ambasadorja amerikane falënderoi ministrat për rolin e tyre në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
“Si pjesë e festimeve tona për 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, Ambasadorja Yuri Kim pati nderin të ftojë të gjithë Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë që prej vitit 1991, për një darkë të veçantë në Shtëpinë Ryerson.
Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e dhëna nga secili prej Ministrave në zhvillimet dhe arritjet historike të Shqipërisë, përfshirë përparimin e tranzicionit nga komunizmi në demokraci, rrugëtimin e Shqipërisë në NATO dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, kryesimin e OSBE-së dhe sigurimin e një vendi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Mbi të gjitha, ajo falënderoi Ministrat për rolin e tyre në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke kujtuar se të gjithë ata – diplomatë amerikanë dhe shqiptarë – kanë fatin që të mund të ndërtojnë mbi punën e paraardhësve dhe detyrimin për të hedhur bazat për pasardhësit e tyre.
Përgëzime për miqësinë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë! Gëzuar, edhe njëqind! Grupi ngriti gjithashtu edhe një dolli për të nderuar ata të cilët nuk mundën t’i bashkoheshin mbrëmjes, Muhamet Kapllani, Alfred Serreqi, Besnik Mustafaj dhe Gent Cakaj” ka shkruar ambasada e SHBA-ve.