Sot ka nisur puna për ndërtimin e hekurudhës mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe lobimi që të njihet si korridor rajonal. Ministrja Balluku tha sot në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Prishtinë se 51% të projektit do ta mbulojë Shqipëria.
“Marrëveshja e bashkëfinancimit vjen dhe synon përcaktimin dhe koston nga dy ministrisë. Fondi është 1.9 mln euro, Shqipëria do të mbulojë 51% dhe pjesa tjetër nga Kosova.
Studimi tejkalon një projekt infrastrukturor, i përket një projekti kombëtar dhe është pjesë e një projekti të madh që ka të bëjë me portin e Durrësit dhe integrimin e hekurudhës në këtë projekt të madh. Kjo është nisja e një korridori të ri” tha Balluku.
“Nuk kam cfarë të shtoj pas Ballukut, është e vërtetë që është sfidë, që linja që lidh Durrësin me Prishtinën dhe krijon portin e thatë të Durrësit dhe krijon mundësi. Portit të Durrësit i rrit kapacitetet. Është një sfidë që të luftojmë që ky të njihet si korridor. Edhe Kosova edhe Shqipëria janë përjashtuar” tha më tej Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Një tjetër marrëveshje e firmosur ishte ajo për fshatrat pran kufirit të dy vende.
“Marrëveshja për gjendjen e fshatrave ndër kufitar është e rëndësishme pasi bëhet fjalë për fshatra që e kanë kufirin në mes. Nëse Malësia e Gjakovës, Hasi kanë pasur Gjakovën dhe Prizrenin si qytete të vetin, pas kufirit është dashurt të ndërtohet Kukësi, Bajram Curri dhe shumë prej tyre e kanë më afër fshatin në kufi sesa ku duhet të shkojnë. Kjo mundëson që të ketë rrugë të mira dhe transport të lehtë. Marrëveshja prek interesin e qytetarëve në zonat malore” tha Liburn Aliu.
Belinda Balluku sqaroi se “Komiteti do të shikojë gjendjen e rrugëve në zonat ndërkufitare, rritjen e aksit dhe lidhjen. Të njëjtat kompani të ndërtojnë rrugët në të dy krahët. Për ne është e rëndësishme të shohim dhe pastaj të shohim aksionet e përbashkëta” tha ajo.
Kreu i qeverisë shqiptare bëri edhe një batutë lidhur me bashkëpunimin mes ministrit Liburn Aliu dhe Ballukut. “Shpresoj mos t’i ngelet hatri askujt, por ka një entuziazëm të madh për bashkëpunim me Liburnin.
Nuk e di për shkak se janë dy ministre, apo është një gjë tjetër, por besoj se ti Liburn do ta ndash përvojën dhe me tjerët, sepse ka shumë frustrim nga të tjerët, se pse nuk kemi dhe ne Liburnin për bashkëpunim.
Për ju të dy nuk ka asnjë lloj zilie, xhelozie, fare, fare, përkundrazi. Ajo që do të thoja përtej shakasë, është se do të ishte mirë që në mbledhjen e ardhshme, të prezantohet një master-plan i integruar për rrugët ndërkufitare, për temën e mjedisit në atë zonë, gjë që do të donte dhe përfshirjen e ministrave të Bujqësisë.
Kështu që Liburn tani do të kesh tre gra, me të cilat do të bashkëpunosh, ti do ta koordinosh” tha Rama duke shkaktuar të qeshura në sallë.