Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh sot në Kuvend se më në fund negociatat janë zhbllokuar dhe se javën e ardhshme do të zhvillohet konferenca e parë ndërqeveritare mes Tiranës dhe BE-së.
“Ka një dakordësi të plotë mes 27 vendeve anëtare për të mbajtur javën e ardhshme konferencën e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.
Shpresoj shumë që në orët në vijim, duhet dakordësia mes Bullgarisë dhe Maqedonisë. Dakordësia politike është arritur dhe mbajtja e konferencës javën tjetër është një fitore shumë e madhe e të gjithë shqiptarëve” tha Balla.
Më herët reagoi edhe kryeministri Edi Rama, që i kërkoi Shkupit të pranonte propozimin francez.
“Propozimi i fundit francez, i cili është edhe përfundimtari,i jep Maqedonisë së Veriut mundësinë e një pranimi pa rezervë dhe hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Europian! Vëllezërve maqedonas&shqiptarë në MV u them: Pranojeni” shkruan ai.