Dalin pamjet e momentit të arrestimit të 27-vjeçarit Ani Begaj, i dënuar për vrasje për masakrën e Çoles. Policia njofton se kishte informacion se një person po lëvizte me armë zjarri dhe u vendos në ndjekje të tij, por Begaj nuk iu bind urdhrit për të ndaluar duke u arratisur. Por liria zgjati shumë pak, pasi së bashku me shokun e tij që ishte në makinë u arrestuan.
Masakra e Çoles ndodhi në prill të vitit 2015, kur pas një sherri në kazino mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Policia akuzoi si autorë të masakrës Aleksandër Llanajn, Ani Begajn dhe Bertil Aliajn. Gjatë seancave të gjata, u dënua me burgim të përjetshëm Aleksandër Llanaj, ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg në mungesë.
Njoftimi i policisë Vlorë
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në kuadër të masave të shtuara për sezonin turistik, bazuar në informacionet e siguruara nga shërbimet e specializuara se disa persona që mbanin armë zjarri me vete po qarkullonin me automjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacioni “Chasing”, për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Pas lokalizimit të automjetit, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të tij, i cili nuk ka ndaluar, por ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Si rezultat i këtij operacioni, pas ndjekjes intensive të automjetit nga Policia, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë, në lagjen “Pavarësia”, i shtetasve:
-Ani Begaj, 27 vjeç, banues në Vlorë, i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin e datës 01.11.2016, e ka dënuar me 35 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, më datë 07.04.2015, në lagjen “24 Maji”, dyshohet se në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë, ka vrarë me armë zjarri shtetasit F. V. dhe H. R., pas një konflikti për motive të dobëta;
-E. B., 26 vjeç, banues në Vlorë, që shoqëronte dhe ruante shtetasin Ani Begaj.
Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, 26-vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me municion luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Vlorë, për veprime të mëtejshme.









