Mesditën e sotme u arrestua nga policia e Vlorës njëri nga autorët e Masakrës së Çoles ku mbetën të vrarë 3 persona.
Ai është Ani Begaj, i cili po udhëtonte me makinën tip Nisan AA 470 UK, bashkë me një tjetër person kur nuk i ka ndaluar patrullës së policisë në Lungomare.
Policia është vënë në ndjekje të makinës që udhëtonte Begaj. Në lagjen Pavarësia, Begaj është futur në një rrugicë pa dalje.
Aty është rrethuar nga policia dhe është prangosur. Po ashtu janë sekuestruar 2 armë zjarri.
Masakra e Çoles ndodhi në prill të vitit 2015, kur pas një sherri në kazino mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.
Policia akuzoi si autorë të masakrës Aleksandër Llanajn, Ani Begajn dhe Bertil Aliajn.
Gjatë seancave të gjata, u dënua me burgim të përjetshëm Aleksandër Llanaj, ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg në mungesë.









