Nëse në Kosovë do të kishte një njeri që do të dëshironte që politikisht Hashim Thaçi të mos ishte në Kosovë, pa asnjë dyshim ai do të ishte Albin Kurti. Nëse do të kishte ndodhur ndryshe, fitorja ëndërr e Kurtit më 14 shkurt të vitit të shkuar, do të kishte mbetur vetëm me gjysmën e dytë të saj, pra, me ëndrrën. Prania e Thaçit në Kosovë do ia kishte bërë të pamundur. Si një lojtar i regjur i politikës dhe me përvojën e tij për të ditur drejtimin e erërave ende pa nisur ato, Thaçi do ia kishte bërë fitoren të vështirë dhe drejtimin e qeverisjes edhe më të vështirë.
Nëse në Kosovë është një njeri që nuk e do Thaçin politikisht nëpër këmbë, është pikërisht Kurti. Ndarja mes këtyre dy burrave të politikës ka filluar që nga janari i vitit 1999, kur njëri prej tyre, Thaçi, ishte për të qenë UÇK-ja pjesë vendimtare në Konferencën Ndërkombëtare në Rambuje, kurse tjeri, si pjesë e Zyrës së Demaçit në Prshtinë, si edhe shefi i tyre, ishte kundër.
Kur Demaçi deshi të gjente një rrugë të mesme, që në vendin e tij të ishte i adhuruari i momentit në politikën e tij, Kurti, delegacioni i UÇK-së, dhe domosdo edhe Thaçi, ishin kundër. Pikëpamjet e ndryshme i kanë përplasur fort dy liderët e dalë nga lëvzjet çlirimtare, megjithëse njëra quhej Lëvizja Popullore e Kosovës, ku ishte Thaçi, dhe tjetra Lëvizja Studentore, ku ishte Kurti, megjithëse e dyta kishte në udhëheqje figura pjesë të Lëvizjes.
Në jetën e tyre të përbashkët politike institucionale, por edhe para saj, që kur Kurti formoi Vetëvendosjen, si lëvizje kundërshtuese dhe me ide nacionale të fuqishme, asnjëherë tjetër nuk ka ndodhur në Kosovë një përplasje e tillë, e ashpër, plot debate, nganjëherë arrogante, sa ka ndodhur mes tyre.
Kurti e ka akuzuar për gjithçka Thaçin, njerëzit e tij, pasuritë e tyre, klanin e njohur si klani “Pronto” dhe shpesh-herë ka pasur të drejtë, por edhe i është egërsuar për gjëra madhore institucionale, në të cilat nuk ka pasur të drejtë.
Asnjëherë jetër, as mes Thaçit dhe Rrugovës, Thaçit dhe Haredinajt, Kurtit dhe Rrugovës, Kurtit dhe Isa Mustafës, nuk ka pasur një përplasje të tillë, shpesh-herë në foltoren e Kuvendit, ku të dy, sipas rastit, e kanë akuzuar njëri-tjetrin për lidhje të dyshimta politike dhe strukturore jashtë Kosovës.
Kurti, edhe publikisht, ka shprehur dëshirën e tij që Thaçi të shkojë në Hagë, sidomos kur ndodhi arrestimi i parë nga Dhomat e Specializuara. Është i njohur fjalimi i tij, “Shko, Hashim!”, ku publikisht i thotë të shkojë në Hagë dhe e akuzon se pas heshtjes së Thaçit fshihet një marrëveshje e fshehtë me ndërkombëtarët, përmes së cilës Thaçi mbronte kokën e tij, jo UÇK-në.
E bëra këtë hyrje disi të gjatë për të treguar se ndërlidhja mes këtyre dy liderëve ka qenë e ashpër, e vendosur si grykë zjarri dhe tani që Thaçi, së bashku me pjesë të Trupës Drejtuese të Luftës janë në Hagë, kjo nuk do të thotë se Kurti merr frymë i lehtësuar dhe se vërtetë ka dëshiruar burgosjen e tij.
Ndryshe nga presidentja Osmani dhe zv.kryeministria dhe ministre e jashtme Gërvalla, që e duan Thaçin jo vetëm larg Kosovës, por edhe të burgosur gjatë, shumë gjatë, mundësisht të mos kthehet më, Kurti, si njeri i politikës e di se sa më i rëndë të jetë ndëshkimi i supozuar, aq më i fortë është rikthimi.
Kurti nuk e do politikën për momentin, ai do të jetë gjatë në politikë, ndryshe nga kolegët e tij nga lëvizja tashmë e shuar “Guxo”, që e dinë se janë rastësisht aty.
Kurti ka qenë kundërshtar i miratimit dhe krijimit të Dhomave të Specializuara, pra, Gjykatës dhe Prokurorisë Speciale dhe si lider i opozitës qëndrimi i tij nuk mund të ishte ndryshe. Ai ka organizuar manifestime, protesta, nganjëherë edhe të dhunshme, lëvizje të gjëra, sidomos të rinisë, kundër krijimit të këtyre strukturave, sidomos në bazën nacionale të hetimit, ndjekjes dhe gjykimit.
Askush tjetër në Kosovë nuk ka qenë kaq ashpërsisht kundër vendosjes së tyre në Kushtetutën e Kosovës. Nëse do të kishte qenë në pushtet, edhe ai, si të tjerët që e dinin se po bënin diçka të padrejtë, mund ta kishte miratuar. Ndryshon përplasja e këmbëve në opozitë, nga ngritja e duarve në qeverisje.
Tani, kur gjërat kanë dalë jashtë kontrollit dhe Gjykata Speciale po merr gjithnjë e më shumë formën e një strukture politike, që nuk ka synim të dënojë vetëm disa liderë, por gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e bashkë me të edhe pavarësinë e saj, kur tezat, hetimet, dosjet e prokurorit të përgjithshëm serb dhe botimet serbe janë mbi tryezën e tyre, figura të rëndësishme në të gjitha viset e kombit kërkojnë me ngulm që kjo strukturë të mbyllet, të hiqet dorë prej saj, edhe ngaqë afati kushtetues prej kohe ka mbaruar.
Ata i kërkojnë Kurtit, që ka qenë krejt kundër saj, që tani që është shefi i qeverisë së Kosovës me vota të konsoliduara, të kthehet në qëndrimin e tij fillestar, kundër Dhomave të Specializuara, të kërkojë nga Parlamenti mbylljen e tyre dhe të zhbëjë atë pjesë të Kushtetutës, që lidhet pikërisht me krijimin e tyre. Si njeri i veprimeve të guximshme, disa herë edhe përtej vetes, ata i kërkojnë të jetë njeriu radikal i mbylljes së tyre.
Dhomat e Specializuara nuk janë thasët që i ka vënë mbi kurriz Kosovës shefi i tanishëm i qeverisë, Albin Kurti. Këto struktura nuk janë krijim i tij. Edhe pse ka qenë kundër tyre, ai nuk mund të mbartë mbi shpatullat e tij thasët që kanë ngritur të tjerët.
Dhomat e Specializuara, megjithëse me votat e Kuvendit të Kosovës, nuk janë krijim i Kosovës. Nuk janë as krijim i Thaçit, as i Haradinajt, as i Veselit, as i Selimit, as i Krasniqit. Ata kanë idenë, mendimin, forcën, këmbënguljen, kërcënimin, vendosjen, shkrimin, paraqitjen e ndërkombëtarëve, ndërsa firmat janë të liderëve të kohës. Dikush do e hidhte gjithë dëshirë, për shembull, Isa Mustafën dhe grupi i slifterëve rreth tij, të tjerë me dhimbje dhe në pritje se cili prej shokëve pranë mund të ishte në këtë listë.
Kurti nuk mund dhe nuk duhet të hedhë mbi vete këto thasë, thjeshtë se dikur ka qenë kundër. Kjo nuk e ndihmon Kosovën, nuk i ndihmon të akuzuarit e tanishëm apo të ardhshëm. Nuk ndihmon askënd. Nuk ka forcë pasvepruese. Do të jetë e papërfillshme dhe asfiksuese për vetë Kosovën. Në fund të fundit, do të jetë pranim i fajit dhe akt-akuzës, e cila edhe pse është në shumicën e saj fantazmagorike, përsëri është nga një institucion kushtetues i Kosovës, që në të vërtetë as nuk do t’ia dijë për Kosovën.
Nuk e ndihmon Kosovën, pasi, edhe nëse Parlamenti i saj merr vendimin e papritur për mbarimin e këtij misioni, punët kanë shkuar kaq larg, saqë asnjë institucion ndërkombëtar, kudo qoftë, që nga Brukseli e deri përtej Atlantikut, nuk do e miratonte. Shumë shpejt, në mos e kanë të gatshëm planin, do të kishin gjetur një instrument tjetër për ta miratuar këtë gjykatë, vazhdimin e punës së saj, të cilën e mbajnë me paratë e veta.
Largimi i këtyre strukturave do të thotë pranim i fajit, do të kriminalizonte luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk do e mbronte të vërtetën e saj. Të gjitha akuzat e deritanishme dhe ato që ende janë në sirtar, do të merrnin pasaportën e të vërtetës. Përmes saj do të kriminalizohej vetë Kosova dhe peshorja do të kiste rënduar andej nga është në të vërtetë krimi, nga shteti serb, i cili do e kishte ëndërr këtë veprim. Do të kishte paguar aq flori, sa peshon i gjithë Parlamenti i Kosovës.
Serbia nuk ka thjeshtë hakmarrjen e luftës së humbur; nuk e ka me 7 a 8 vetë që janë në Hagë. Ajo e ka me UÇK-në, dhe, më tej, me popullin e Kosovës dhe vetë Kosovën, si shteti më i ri i Europës dhe vendi ku humbja e tyre nisi në marsin e vitit 1981 dhe përfundoi në qershorin e vitit 1999.
Kurti, jam i bindur, – pavarësisht deklarimeve antikombëtare të ministrit të tij të Financave, Murati, që me çmendjen e tij politike e njerëzore, kombëtare po se po, thotë se “më lirë do na kishte kushtuar liria e Kosovës me mercenarë, sesa përmes pagesave të veteranëve të luftës”, – është njeri i luftës, veteran i saj, që e di se pa këto njerëz as ai vetë nuk do të kishte qenë një ditë shefi i qeverisë. Veçse nëse do të kishte luajtur rolin e Azem Vllasit, apo kolaboracionistëve të tjerë.
Kurti nuk e do njeriun politik Thaçi në Kosovë, sepse është vetë në lojën për pushtet, por nuk mendoj asnjëherë se ai do dënimin e thelbit të jetës së tij, UÇK-në, ku ishte edhe pararendës, edhe pjesë. Ai e di se më mirë Kosova do të jetë me Thaçin përballë tij, sesa shef i një qeverie kukull, që luan me pavarësinë si dikur fëmijët kur luanin me arra.
Mos i hidhni mbi kurrizin e Kurtit, thasët që nuk janë të tij. /Botuar në DITA