Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta përmes një postimi në Facebook ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi mesditën e sotme në Himarë, ku skafi ka goditur për vdekje një fëmijë të mitur në plazhin e Potamit.
Si pasojë e goditjes fëmija humbi jetën në vendngjarje, ndërsa policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit lundrues, Arjan Tase.
Meta u shpreh ngushëllimet familjarëve dhe ka dënuar situatën e sigurisë në plazhe.
“Thellësisht i tronditur nga ngjarja tragjike në plazhin e Himarës, ku zyrtari i lartë i Policisë së Elbasanit A.T i mori sot jetën një vajze të mitur 7-vjeçare, e cila kishte ardhur me familjen për pushime në Shqipëri.
Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve për humbjen e vogëlushes së tyre të shtrenjtë, dënoj me forcën më të madhe situatën katastrofike të sigurisë publike në plazhe, në pikun e sezonit turistik, fatkeqësisht me pasoja kaq tragjike të përsëritura.
Hetim i menjëhershëm i thelluar dhe ndëshkim të ashpër për shkeljen e ligjit nga drejtuesit e Policisë së Shtetit!
Mjaft arrogancës dhe papërgjegjshmërisë në Policinë e Shtetit!”, shkruan Meta.