Kur kanë kaluar 24 orë nga atentati me dy viktima që ndodhi dje në Vlorë në fshatin Panaja ende nuk ka asnjë të arrestuar nga policia e qytetit bregdetar.
Autorët kryen krimin brenda pak sekondave dhe u zhdukën duke djegur makinën në Frakull të Fierit.
Për atentatin killerat, që ishin tre zgjodhën një pikë “strategjike” si mbikalimi në Panaja duke çorientuar policinë për arratisjen, e cila fillimisht mendoi se kishim të bënim vetëm me një aksident.
Makina me tre kallashët brenda u shkrumbua pa asnjë gjurmë. Autorët kishin informacion nga brenda për lëvizjet e dy shënjestrave, pasi i goditën ditën që po lëviznin pa makinë të blinduar.
Geno (Shpati) Lena 37 vjeç dhe Hakim Xhezo 34 vjeç do të përcillen sot për në banesën e fundit.
Pista kryesore e hetimit lidhet me një hasmëri të vjetër, tre vite më parë, ku vëllai i Xhezos vrau një biznesmen në plazhin e vjetër pas sherrit për një kalë.
I përfshirë ishte edhe Lena, por që qëndroi vetëm tre ditë në burg.