Më një shtator pritet të nis zbatimi i reciprocitetit ndaj Serbisë. Kjo lëvizje e Kosovës ishte parashikuar të ndodhte më 1 gusht, por u shoqërua me tensione.
Analisti politik nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi i cili ka qenë edhe këshilltar i kryeministri Edi Rama, ka bërë një parashikim se çfarë mund të ndodhë.
Duke folur për gazetën serbe “Danas”, ka thënë se Kosova ka mbështetjen e perëndimit për çështjen reciprocitetit.
“Për 1 shtatorin Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar nisjen e implementimit të reciprocitetit në kalimet kufitare, gjë e cila do të nxisë edhe një herë rezistencë të armatosur nga serbët. Masat e reciprocitetit të Kosovës qartazi kanë mbështetjen e Perëndimit, kështu që Vuçiçit nuk i është lënë hapësirë për të kërkuar një zgjidhje tjetër”, ka thënë ai për median serbe.
Maliqi u shpreh se Vuçiç nuk mund ta luajë me levën e dualitetit, duke qëndruar mes Perëndimit dhe Moskës.
“Perëndimi po i kërkon që ta marr një vendim: a dëshiron të futet në BE apo të mbajë lidhje të ngushta ekonomike, politiken dhe ushtarake me Rusinë”, ka thënë ai me tej.