Dakordësia e arritur së fundmi, mes qeverisë Kurti dhe presidencës serbe, është pjesë e një marrëveshje të vitit 2011.
Pra, nuk është asgjë e re dhe e papritur. Ajo që më gëzon qëndron në faktin se, më në fund, edhe ato gjëra të mira që janë bërë në bisedimet e mëparshme, tani po pranohen si të suksesshme, pavarësisht se cili i proklamon ato.
Gjërat e luftës zgjidhen në luftë, gjërat e paqes zgjidhen përmes bisedimeve, pa lëshuar në gjërat themelore që përbëjnë ekzistencën e kombit.
Kurti, si shefi i qeverisë së Kosovës, ndryshon tani nga Kurti i opozitës, kur, të njëjtat marrëveshje i quante si veprime që i bien ndesh interesit të Kosovës, i denonconte dhe i linçonte politikisht bartësit e tyre.
Por, sidoqoftë, është një fillesë e mbarë dhe, meqenëse në marrëveshjen e vitit 2011 edhe shumë detaje të tjera, më të rëndësishme se kjo e arritur tani, të cilat pala serbe ka refuzuar t’i realizojë, pavarësisht dëshirës së mirë të palës qeverisëse në Kosovë.
Jo gjithmonë djalli gjendet në shtëpinë tënde. Por, është hap i mirë për të shkuar më tej, sidomos në forcimin e një koncepti të ri në politikën e jashtme, për të pasur afrim më të madh drejt politikës anglo – saksone, për të gjetur pikërisht aty miqtë e vendimeve dhe marrëveshjeve të ardhshme.
E përsëris, është hap i mirë, por jo për tu fryrë gjithë daulleve të festës.