-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Arbër Zaimi: A do të hapë sytë dhe veshët Rama për Vuçiçin?

Kryesoret

Dje në raport me politikën ballkanike të Shqipërisë, qarkulluan në shtyp dy tekste interesante: ai i Ditmir Bushatit “Disiplina Strategjike” dhe ai i Fron Nahzit “Loja e dyfishtë Vuçiç-Rama i sjell përfitime vetëm Serbisë”.

Ditmir Bushati, eksponent i lartë i PS dhe ish ministër i jashtëm lëvdonte konsistencën e Kosovës dhe tregonte se një ndryshim po ndodh në diplomacinë amerikane e perëndimore, të cilat gjithnjë e më pak kanë durim për lisharësin e Vuçiçit që lëkundet mes Rusisë dhe perëndimit. Një fjali për t’u veçuar nga teksti i Bushatit është nē fund të shkrimit, ku ai ekspozon një strategji dinake të Serbisë:

“Serbia mund të zgjedhë me dinakëri rehabilitimin e saj në rajon dhe Europë duke e diferencuar Shqipërinë nga Kosova, por koha do të tregojë se pajtimi shqiptaro-serb, paqja dhe mirëqenia e qëndrueshme kalon vetëm përmes Kosovës”

Fron Nahzi, bashkëpunëtor në zë dhe përgjatë dhjetëra viteve drejtues projektesh e fushatash të George Soros-it në rajonin tonë tregohet më i drejtpërdrejtë qysh në titull dhe krejt në fillim të shkrimit e përgënjeshtron shpresën e perëndimit se përmes partneritetit Vuçiç-Rama presidenti i Serbisë do largohet nga Rusia e cila dëshiron luftë në Ballkan.

Diku nga fundi i shkrimit Nahzi jep këto dy fraza ku ekspozon një rrezik iminent të luftës, si dhe bindjen se Vuçiçin nuk e kthejnë kah perëndimi as fondet evropiane e as shtrëngimet e duarve me Ramën, por vetëm njohja e Kosovës”.

“Shumë liderë dhe ekspertë ballkanikë paralajmërojnë se Putin do të përpiqet ta zgjerojë konfliktin e Ukrainës edhe në Ballkanin Perëndimor, por për këtë ai ka nevojë për Vuçiç.

Mbetet pyetja: Çfarë do të duhet që Vuçiç të ndahet nga vëllai i vet rus? A mjafton anëtarësimi i shpejtë në BE apo rritja e financimeve? Këtë vit, BE i ka dhënë Serbisë 223.7 milion euro. Mos ndoshta një marrëveshje e leverdishme për Kosovën mund të ishte pika e kthesës që Serbia të bashkohej me aleancën perëndimore?”

Tani pyetja e vetme me rëndësi që mbetet është:

A do të hapë sytë dhe veshët kryeministri i Shqipërisë, apo do të vazhdojë “dhe i vetëm trim në luftë”?

Dikush mund të thotë se Rama nuk ka hyrë në marrëdhënie me Vuçiçin pa kërkesën e Amerikës, mirëpo e para nuk është mirë ta mendojmë kryeministrin e Shqipërisë si një “vegël qorre” që vepron vetëm në shërbim të tjetërkujt pa e ditur se ç’po bën, dhe e dyta nuk është mirë ta konsiderojmë Amerikën si njëdimensionale.

Ajo është e madhe sepse ka brenda saj vend për qëndrime të ndryshme. Teksa ndaj Serbisë (dhe ndaj shumë vendeve) ajo mund të ofrojë njëherazi karotën e kërbaçin (nga duar të ndryshme), assesi nuk i takon shqiptarëve të vetëofrohen si karota e të përfundojnë si “ushtarë të Vuçiçit” që i quan Fron Nahzi, të përdorur nga “dinakëria e Serbisë që diferencon Shqipërinë nga Kosova” që shkruan Ditmir Bushati.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit