Kryeministri Edi Rama ka treguar njeriun që investitorët e Zvërnecit kanë kontraktuar për arkitekturën e peisazhit. Ai është Dong Yugan, një arkitekt dhe studiues kinez.
“Njihuni me artistin e madh të natyrës, arkitektin e pejsazhit Dong Yugan, pasuesin e legjendarit Kungjan Yu dhe udhëheqësin e konsulencës mbi peisazhin e mbrojtur në projektin e Zvërnecit. Ai sot prezantoi përpara një audience me plot arkitektë ndërkombëtarë në Festivalin Bread&Heart në Tiranë, vizionin dhe shumë gjetje të studios së tij prestigjioze ndërkombëtare, duke i mbresuar të gjithë me prezantimin e tij.
Nëse do të shihni më shumë nga krijimtaria e studios Turanscape.com do ta krijoni vetë ndjesinë e sigurisë së brendshme, se falë edhe këtij talenti në skuadrën e yjeve që kanë formuar investitorët e projektit të Zvërnecit, ato 4 miliardë Euro që forca të caktuara po bëjnë çmos t’ia heqin nga duart Shqipërisë, nuk mundet kurrësesi të sjellin pasoja negative për natyrën, përkundrazi, do të sjellin një nivel të harmonisë me zhvillimin e natyrës që do të jetë një krenari për Shqipërinë dhe një dhuratë e Shqipërisë për vetë Europën”, shkruan kreu i qeverisë.









