Shkodra është tronditur sërish mbrëmjen e sotme, ku një i ri rreth 20-vjeç është ekzekutuar me armë zjarri pistoletë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku viktimë kë mbetur Erjon Xhenja.
Pas vrasjes ekzekutorët janë larguar me shpejtësi me motoçikletë.
Ka qenë mjaft e rëndë dhe prekëse momenti kur ka mbërritur në vendngjarje babai i viktimës, i cili fillimisht është futur në lokal për të identifikuar djalin dhe më pas ka dalë jashtë duke qarë dhe me forca të shumta policie.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 20:10, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në lagjen “Naim Gjylbegu”, në një lokal, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi E. Xh., 19 vjeç, banues në Shkodër.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët janë larguar me një motoçikletë.
Në lagjen “Guerrile” është gjetur nje motoçikletë duke u djegur dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.