-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: 32 vite batërdi

Kryesoret

Në Shqipëri, për fat të keq, gjërat të cilat duhet të jenë në raport të drejtë me njëratjetrën, i kemi në një proporcion gjeometrik të prapshtë dhe të jashtëzakonshëm. Ndërsa krimin e kemi të pranishëm, në të shkuarën, dhe në të sotmen, ndëshkimin e kemi të “jashtëligjshëm”. Në fakt, ky është problemi më i ndjeshëm që kemi aktualisht dhe pa zgjidhur këtë, nuk mund të zgjidhet asnjë tjetër. Këtu është a-ja e perspektivave të tjera, ose mbytja përfundimtare e tyre. Institucione të rëndësishme ndërkombëtare, drejtpërsëdrejti, pa bërë asnjë lajkë politike, kanë shtruar prej kohësh problemin më të rëndësishëm: ligjin, vendosjen e drejtësisë, të së drejtës dhe të ndëshkimit, si gjëra që nuk mund të merren me mend se mund të anashkalohen. Informacionet që i janë përcjellë atyre, faktet e provuara për ekzistencën e grupeve kriminale dhe lidhjet e tyre me pushtetet, në kohë të ndryshme, kanë qenë kaq domethënëse, saqë liderë të politikës europiane, e kanë thënë dhe kërkuar haptas, pa bërë asnjë tërheqje politike për të thënë një të vërtetë, me të cilën jetojmë të gjithë, por me të cilën, nuk e pranon askush në sipëroret e pushtetit dhe institucionet e ligjit, si të vërtetë. Edhe kur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, synoi të bëjë lëvizjet e duhura, ai u gjet para dy rrugëve: ose të largohej përmes dorëheqjes, ose do e largonin pa asnjë dhimbje. Krimi, oligarkia politike e lidhur me të, fitoi edhe një herë terrenin e kërkuar, që mund ta humbiste. Në Shqipëri, në 32 vitet e fundit, kur mendohet se filloi një periudhë demokratike e plurale, kanë ndodhur aq shumë krime, në të gjitha fushat, që nga ato të rëndat, kundër jetës së njeriut, e deri tek shkatërrimi i pasurisë së përbashkët, duke futur në këtë mes vjedhjet e pazakonta që janë bërë, mashtrimet e shumëfishta, bulimin e më pas lulëzimin e fuqizimin e korrupsionit.

Në krejt pak vite janë hedhur në erë qendra të rëndësishme industriale, është vjedhur e tjetërsuar një pasuri e tërë miliardëshe, njerëzit e politikës, të lidhur me mafian financiare të botës së krimit, kanë bërë ligjin dhe vazhdojnë të jenë pjesë e tij, është tentuar të hidhet mbi njerëzit që demonstronin në vitin 1997 lëndë helmuese kimike, është dhënë urdhër për vrasje, është bërë armatosja e një pjesë të popullsisë për të luftuar kundër pjesës tjetër; janë shkelur të gjitha ligjet ndërkombëtare, që kanë qenë të detyrueshme për ne si shtet e si popull; janë furnizuar me armatim regjime despotike, që nga ai i Millosheviçit e deri tek i Kafadit; është bërë kontrabandë e pashoqe me regjimin serb të Beogradit dhe dollarët e fituar janë shpërblyer duke burgosur e sabotuar një luftë çlirimtare në Kosovë e në Maqedoni…, janë dhënë e po jepen konçensione monstruoze nga qeveria e tanishme, të gjitha këto të njohura, të ditura, të thëna qindra e qindra herë, të përdorura në media dhe në fjalime publike. Dhe askush nuk është ndëshkuar, e si duket, loja e mosndëshkimit do të vazhdojë edhe më tej. Grupe të krimit, të njohura, të skeduara, të përgjuara, të saktësuara për krimet e tyre, vazhdojnë të jenë dominues, të shpërblyer dhe në qetësinë e tyre. Përmë tepër, të përkrahur. Sa prej tyre janë të vërteta dhe sa janë thjeshtë çaste mediale? Të shumtat janë të vërteta dhe të pranuara si të tilla.

Në tetë vitet e fundit të qeverisjes Berisha, qeverisje si përson dhe si familje, duke krijuar një katërshe: baba, nënë,bir e bijë, dhe me satelitë; dhëndurë, kunetër e loajalë politikë të tipit lulëzo –lulja ime lulëzo; është bërë një batërdi e padëgjuar në të gjithë ekonominë tonë; në nëntë vitet e qeverisjes “Rama” janë shkatërruar financat e është hapur një greminë, në të cilën mund të fundoset i gjithë vendi; borxhi publik- i hapur është si kurrë më parë, borxhi publik i fshehur është humnerë financiare; me paratë e vjedhura si ekip qeveritar janë bërë vila të stërmëdha dhe krijuar resorse të pazakonta edhe për një botë në zhvillim; është krijuar një klasë hemogjene sipas trinomit: politikë- mafia gardë pretoriane, e cila ka vendosur që nga rrënjët e hashashit që do të mbilleshin, e deri tek arrestimet, vrasjet e gropat financiare. Të gjitha koncensionet e dhëna në muajt e fundit të qeverisë “Berisha” dhe 9 vitet e qeverisjes “Rama”, me klauzola të jashtëzakonshme në dëm të Shqipërisë, nëse do të prisheshin, janë në fakt, në vetvete, vepra krimimale, të cilat do të dënoheshin pa asnjë dhimbje në çdo shtet. Skandalet financiare të PPP-ve, inceneratorëve, rrugëve, kapin shuma të pallogaritshme. Shqipëria prodhon 7.138.000 Mh energji elketrike, por konsumon 5.115.000 MWh, megjithatë kemi ndër çmimet më të larta në kontinent dhe përsëri synohet të rriten. Deri kur? Shqipëria prodhon 1.5 milionë tonë naftë në vit dhe konsumon rreth 600 mijë tonë. Përsëri kemi naftën më të shtrenjtë dhe shtet nuk përfiton thuajse asgjë nga kompanitë, shpesh-herë fantazmë, që kanë konçensionet e naftës.

Në 9 vitet e fundit, sipas raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kemi abuzime në vlerë për rreth 8.9 miliardë euro, ndërsa buxhetin vjetor e kemi 5,5 miliardë euro. Abuzohet me rreth 1 miliard euro në vit dhe alarmi i dhënë, që prej disa viteve, nuk dëgjohet nga askush. Asnjë nuk e di saktësisht se sa është borxhi ynë i jashtëm, as Ministria e Financave nuk e di. Tani askush nuk habitet më nga tenderët e shumëfishuar në shumën e tyre, disa herë më të lartë se tenderimi fillestar, ashtu si nuk kanë habitur konçensionet e kromit apo të bakrit, ku me një firmë ministrale, si ajo e zotit Ruli, janë fshirë detyrime milionëshe dhe nuk besoj se ka njeri që e beson se ministri i atëhershëm e bëri këtë nga zemërdhëmbshuria, apo nga meraku për jetën e minatorëve, të cilët këputeshin njëri pas tjetrit, si fiq të pjekur. Nuk habiti asnjëri, as tregtia e vdekjes në Gërdec, dhe për më tepër, një tabor analistësh as që u lodhën me këtë, sepse e dinë se djali me sy peshkaqeni i kishte edhe dhëmbët si të peshkaqenit. Nuk habisin më askënd kur Kastrati, pasi merr konçensionin e “Rrugës së Kombit”, merr edhe të aeroportit të Rinasit, edhe ndërtim rrugësh, edhe ngritje pallatesh në zona të gjelbëra, që dikur ishin tabu; nuk habitet askush kur Basha del nga loja e partisë së tij i pasuruar në miliona euro; të gjitha po bëhen të zakonshme dhe asnjëra e ndëshkuar. Ne kishim një sistem drejtësie të marrë fund. Por, që po ngrihet me zor dhe nuk po bëhet i besueshëm. Kjo duhet pranuar sinqerisht, ndryshe nuk bëjmë hajër. Ne kemi një sistem drejtësie ku lulëzon “gjingjonizmi”, si rrymë e të vepruarit në drejtësi; me miliona euro të fshehura, me gjykatës që haptas deklarojnë se kanë marrë dhurata qindra mijra eurosh; me ofertën e dikurshme 200 mijë eurosh për një vend pune në drejtësi; me një këshill të lartë drejtësie qëishte vendi më i ndjeshëm i padrejtësisë. Ne kemi pasur shefa qeverie që vite me radhë kanë bërë familjarisht, apo përmes klaneve të tyre, zullumet më të mëdha në këtë vend që kur është krijuar si shtet; kanë shkatërruar gjithçka, mbi të gjitha kanë hedhur në erë besimin ndaj shtetit. Ne kishim shef qeverie një njeri që desh përplasi vendin në luftën civile më të përgjakshme, që kudo në botë prej vitesh do të ishte pjesë e një strukture tjetër, pasi e përdhosi këtë sistem drejtësie që në fillimet e tij, me të famshmin lulëzim të plepave të Durrësit, në të cilin militantizmi u bë shkalla e verifikimit të dijeve, pasi dërgoi në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese njerëz të paaftë dhe jo rrallë me lidhje të dyshimta me shërbimet e huaja fqinje; pasi e ktheu i ktheu të gjitha strukturat e sistemit të drejtësisë në një lojë lesh arapi, në fund, si duke ndërtuar një mur kinez të drejtësisë, mblodhi në vendet themelore njerëzit më të besuar, të cilët janë loajalë ndaj tij, pikërisht ngaqë janë pjesë e krimit të pandëshkuar. Dhe ai, si mjeshtër i lojës së politikës, i mësuar edhe nga fantazmat fazlliçiane, miq të familjes, e ndërtoi të gjithë sistemin mbi bazën e shantazhit.

Çfarë bën qeveria e sotme? Kjo është ajo që i intereson njerëzve. Ajo që nuk dihet nga bëmat e shkuara është shumë më e pakët nga ajo që dihet, ose në një raport të njëjtë. 9 vite më parë, opozita që sot qeveris, në të gjitha sheshet dhe në të gjithë tubimet, kishte moto të saj ndëshkimin e krimit. Të krimit politik, 21 janari, që tashmë shkoi në kalendrat greke; të krimit njerëzor e financiar: Gërdeci si një përgjakje e mizorisë ndaj njomëzakëve dhe të pashpresëve; të krimit ekonomik: humnerën financiare që e hapën qëllimisht për të përmbysur gjithë vendin si në ciklin e piramidave; vjedhjet e përditshme, të cilat i shndërruan këta njerëz të politikës në pasunarët e pashpirt dhe të bosët e mafias së përbashkët. Të gjitha i tha opozita e djeshme, e cila sot, prej 9 viteve qeveris vendin dhe që në zgjedhjet vendore të 25 prillit mori një mandat të ri besimi, i pazakontë në jetën politike e administrative të vendit. Në 9 vite nuk është bërë asgjë, ose thuajse asgjë. Ministrat e dikurshëm janë përsëri “ministra”, sepse ç’ka vodhën e tjetërsuan e kanë ende në xhepat e tyre, ose në bankat jashtë shtetit. Një drejtor banke që dinte shumëçka, heshti, sepse ndoshta dinte më shumë se kushdo tjetër. Në 9 vite, megjithë përbetimet për rikthimin e Shtëpisë Qendrore të ushtarakëve në identitet, ajo ka mbetur rishtas një pronë e grabitur në minutat e fundit. Fjalët shkuan bashkë me erën, betimi doli një fjalë e zakonshme politike. Në industrinë e kromit dhe të bakrit kanë ndodhur bëma të jashtëzakonshme, nga njerëz të pushtetit, ose krejt afër tij. Pasuria e shtetit është dhuruar si një shportë me fiq. Përleshja ka qenë edhe e përgjakshme, por askush nga “dhuruesit” qeveritarë nuk pësoi asgjë. Ata vazhdojnë të jenë në foletë e tyre. Të gjithë e dinë tashmë se kush qëndron pas Gërdecit. Duhet të jesh naiv të mos e dish një të vërtetë që ka kaluar edhe kufirin e këtij vendi. Djali i shefit të qeverisë bëri gjithçka për të hedhur në erë 26 njerëz dhe asnjëherë, as dje dhe as sot, askush nuk e ka thirrur. Në këtë minierë baruti, pra të vdekjes, punonin fëmijë të vegjël, jashtë çdo ligji. Fëmijë që rrinin pranë vdekjes, që edhe ashtu u erdhi. Gërdeci ishte kthyer në një fued skllaverues të Familjes dhe të njerëzve pranë tyre, e megjithatë, në asnjë seancë gjyqësore, asnjëherë, nuk u shqiptua qoftë edhe dënimi më i vogël për këtë rikthim të skllavërisë së fëmijëve.

Asnjë qytetar i zakonshëm gjerman apo kudo tjetër në Europën nga duam të shkojmë, disa me gjithë mend e disa si fasadë politike, nuk ka asnjë lloj droje nga një thirrje në policinë e vendit të tij. Por të gjithë kanë droje nga një thirrje nga zyrat e financës. Është i vetmi vend ku të thërrasin atëherë kur: ose kanë për të dhënë se ke paguar më shumë taksa se sa mbetet për një jetesë normale; ose të thërrasin se mund të kesh maashtruar e të ardhurat tuaja. Dhe nëse mund të jenë të duruar me një faj të çfarëdoshëm, janë tejet të paduruar me një krim financiar, me një fshehje të të ard[1]hurave, me fshehjen e një dhurate, e cila po ashtu taksohet më shumë se çdo e ardhur tjetër; me një pronë të dhënë me qira dhe të padeklaruar….Edhe për një tjegull që i shton çatisë tënde do të paraqesësh dësh[1]minë e blerjes…ndërsa në Shqipëri janë dhjetëra e dhjetëra zona ish-qeveritare, vila të stërmëdha, të cilat askush nuk e di me paratë e kujt janë ndërtuar. Pushteti i sotëm ndodhet para dy rrugëve; njëra e zakonshme, tjetra e pazakonshme, por ndoshta e dosmosdoshme. Rruga e zakonshme e shumicës qeverisëse në të gjithë piramidën e shtetit është reforma e thellë, pa ekuivoke dhe pa dhimbje e sistemit të drejtësisë. Kjo rrugë, për të cilën flitet që prej shumë viteve, ende nuk ka filluar si duhet, nuk ka frytet e pritura dhe kushdo është i bindur se kemi një opozitë që nuk e do këtë reformë, ose në se e do, e kërkon sipas kutit të saj: mosndëshkimin e krimit, duke lënë edhe më tej falangat e saj në drejtësi. Rruga e pazakonshme është më e vështirë, nuk ka ndonjë precedent të tillë deri më tani në jetën tonë politike, e sidomos në sistemin tonë juridik, por ndoshta duhet menduar edhe për këtë. Pa qenë një qeveri populiste ajo do të mund t’i drejtohej njerëzve, të këshilluar me ligjbërësit e ligjzbatuesit perëndimorë. Ndoshta kjo do të ngjante me një “kryengritje”, por nuk do të ishte e tillë.

Mosndëshkimi i së keqes është varreza e këtij vendi. Alibia e qeverisë po shkon drejt fundit. Është e vështirë të mendohet se besimi do të jetë i pafund tek njerëzit e zakonshëm, kur shohin të vetët tepër ultë, të pangishëm kurrë; ndërsa pushtetarët në majë të një pasurie që e vendosën përmes vjedhjes. Qeveria e sotme duhet të zgjedhë tashmë përfundimisht: ose të jetë palë me mosndëshkimin; ose të ndëshkojë atë. Rrugë të mesme nuk ka./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit