Nëse nuk është për të “larë gojën” vendimi që ka marrë sot grupi i PD-së është një kthesa e fortë. E djathta duket se po shkon drejt bashkimit për zgjedhjet lokale. Të paktën sot është hedhur hapi i parë.
I detyruar nga deputetët, por edhe me dëshirën e tij, pasi vendimi ishin unanim, Enkelejd Alibeaj njoftoi se është gati për të negociuar me Sali Berishën që opozita të dalë me një kandidat për zgjedhejt e ardhshme lokale.
Negociator do të jetë Gazment Bardhi, që nuk ka lënë asgjë pa thënë për Sali Berishën dhe tashmë do të ulet në një tryezë për të zgjedhur kandidatët.
“Pas diskutimeve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët në mënyrë unanime shprehën vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me cdo faktor opozitar.
Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD zgjidhje e vetme për tu përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale është bashkimi i cdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje.
Me qëllim diskutimin e cdo mundësie të sinqertë për bashkëpunim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mandatuar zotin Gazment Bardhi për të kontaktuar dhe për të hulumtuar cdo mundësi bashkëpunimi dhe daljes në zgjedhje lokale me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës.
Grupi Parlamentar i PD shpreh gatishmërinë për të nisur që sot nga puna për të gjetur modalitetet e bashkëpunimit mes demokratëve në zgjedhjet lokale” thuhet në deklaratë
Por ky vendim nuk mund të kalohet kaq lehtë. Fakti që në deklaratë thuhet se vendimi ka qenë në mënyrë unanime nga deputetët, përfshinë edhe vetë Enkelejd Alibeajn.
Por si do të pranojë Alibeaj faktin që të ulet dhe negociojë me Sali Berishën për kandidatët kur deri dje fliste për parimet euro-atlantike dhe pengesën e madhe që ishte “non grata”?
Kësaj pyetje për kthesën dhe përmbysjen e madhe pritet që t’i japë përgjigje vetë Alibeaj, se çfarë e detyroi.









