Dy ditë pas tragjedisë në Klos, policia dhe prokuroria vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.
Gjithçka nisi nga një ngacmim që dy djem, kushërinj të parë i kishin bërë vajzës së autorit, Fiqiri Mjeshtri.
Prokuroria e Burrelit ka marrë në dorëzim dy telefonat e adoleshentëve Kenado Shira që u vra dhe Renato Hasula, që u përfshinë në konflikt.
Prokurori Abaz Muça deklaroi se telefonat do t’i nënshtrohen ekspertimit për të vërtetuar nëse ka pasur apo jo shantazhe nga ana e të rinjve kundrejt 17-vjeçares.
Nga telefonat e të rinjve dyshohet se janë fshirë mesazhet që thuhet se kishte shantazhe e kërcënime.
Babai i vajzës që u bë “mollë sherri”, Fiqiri Mjeshtri vrau me armë zjarri Ilir dhe Kenado Shirën dhe plagosi Eglantin dhe Renato Hasulën, ndërsa më pas u vetëvra.
Ai mësohet se i kishte thënë Kenados, “tani që e bëre me llafe, merre për nuse vajzën ose do të vras”. Fjalët e fundit të autorit i zbardhi vëllai i tij, Besniku dje për mediat. Adoleshenti nuk pranoi dhe në fund u vra bashkë me të atin.