-sidi education-spot_img
27.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gjergj Erebara: Si kursehet energjia

Kryesoret

Shqipëria gjendet në një krizë energjetike në të gjitha drejtimet por masat për zgjidhjen e krizës në terma afatshkurtër dhe afatgjatë nuk janë aspak bindëse. Bashkia e Tiranës duket se ka hequr një pjesë të ndriçimit publik dhe qeveria ka njoftuar më herët planin për të detyruar institucionet publike të kursejnë nga energjia e shpenzuar për ndriçim, por të dyja këto masa nuk ngjajnë se do të kenë ndonjë impakt real.

Nga ana tjetër, këshillat e qeverisë të shprehura përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjisë, të tilla si: fikni dritën, apo përshkrimet mbi efikasitetin e llambave me eficencë të lartë energjie, duket se nuk prekin thelbin e problemit: me energji elektrike super të shtrenjtë, vendi ka nevojë të zëvendësojë këtë burim energjie me burime më të lira, të tilla si nafta për ngrohje apo gazi.

Fikja e dritave ndihmon, por nuk ndihmon shumë për shkak se një familje që përdor poça me eficencë të lartë energjie, konsumon sasi shumë të vockla energjie për ndriçim. Konsumi real i energjisë është te ngrohja në dimër apo kondicionimi në verë dhe e vetmja zgjidhje që mbetet në këtë drejtim është zëvendësimi i energjisë elektrike me burime më të lira të energjisë, si gazi natyror dhe nafta për ngrohje.

Shumëpak në Shqipëri janë të vetëdijshëm për faktin që energjia elektrike është në thelb një nënprodukt i naftës ose i gazit. Duke qenë se Shqipëria ka qëlluar të ketë një sasi jo shumë të madhe hidroenergjie, energjia elektrike është parë gjithmonë si një mënyrë për t’u ngrohur në dimër apo për ajër të kondicionuar në verë.

E pra, në të gjithë botën e zhvilluar, politikat qeveritare janë prirur gjithmonë që energjia elektrike të zëvendësohet për ngrohje, kondicionim, gatim apo ujë të ngrohtë, me gaz ose me naftë për ngrohje. Për shembull: Një litër gaz i lëngshëm sot në Shqipëri kushton 78 lekë ndërsa një litër gaz i lëngshëm është i barabartë me 6.9 kËh. Nëse një institucion publik, fjala vjen, kryeministria, do të përdorte gaz të lëngshëm për sistemin e vet të ngrohjes dhe kondicionimit në vend të energjisë elektrike, atëhere taksapaguesve kjo do t’i kushtonte 11.3 lekë për kWh, nga 50 apo 60 lekë për kWh që kushton energjia elektrike e importuar.

Por nëse marrim parasysh konsumin familjar, atëherë me çmimin aktual të energjisë elektrike për familjet, nuk bën shumë diferencë nëse përdorim gaz apo energji elektrike. Çmimi i energjisë elektrike për kWh bashkë me TVSH-në është 11.44 lekë, shifër kjo e përafërt me çmimin e gazit të lëngshëm. Por në rast se vendoset e ashtuquajtura fashë për konsumin e tepërt, atëhere familjeve do t’u shkojë me leverdi që të përdorin gazin e lëngshëm për ngrohje, së paku për këtë dimër. Në vend që të paguash një kWh 50 lekë, mund të përdorësh gaz me koston 11.3 lekë për kWh.

Gazi është e vetmja alternativë sot për sot në Shqipëri për shkak se që prej dy dekadash, Shqipëria takson naftën për ngrohje njësoj si naftën për transport. Historia se si Shqipëria ngarkoi naftën për ngrohje me akcizë është domethënëse për kapacitetin e shtetit për t’u marrë me punë të tilla si eficenca energjetike.

Në vitet 2000-2002, Shqipëria gjendej në një krizë shumë të rëndë në sektorin e energjisë elektrike për shkak se prodhimi vendës nuk mjaftonte ndërsa linjat e nevojshme për importimin e energjisë nuk ekzistonin ende. Për rrjedhojë u pa e arsyeshme që një nënprodukt i naftës që quhet Heating Oil të mos taksohej me akcizë, taksë qarkullimi e të tjera, por të konsiderohej si produkt i zakonshëm energjetik për ngrohje. Si një nga produktet më të lira energjetike, nafta për ngrohje ndihmon për të vënë në punë kaldajat e institucioneve të mëdha, fjala vjen, spitalet, shkollat apo ministritë.

Me një fuqi kalorifike prej 10 kWh për kilogramë dhe me çmim më të ulët se sa gazoili apo benzina, kjo lëndë djegëse mund të kushtojë më pak se 10 lekë për kWh, disafish më lirë se sa energjia elektrike e importuar sot. Problemi është se në vitin 2004, kur u vu re se gazoili për transport po deklarohej në dogana si naftë për ngrohje, qeveria e kohës, në pamundësi për të luftuar kontrabandën, vendosi që ta taksojë produktin Heating oil me akcizë dhe taksë qarkullimi, njësoj si nafta apo benzina që përdoren për transport.

Përgjatë dy dekadave që pasuan, në Shqipëri energjia elektrike rezultoi një mall me çmim të përballueshëm për ngrohje, kondicionim dhe gatim, aq sa hotelet e ndërtuari rishtaz nuk mendojnë për të përdorur naftë ose gaz për ngrohje e kondicionim, ndërsa restorantet në përgjithësi zbuluan gazin e lëngshëm si burim krahasimisht më të lirë se sa elektriciteti.

Sot, shumica dërrmuese e familjeve shqiptare duket se përdorin energjinë elektrike për ngrohje, kondicionim dhe gatim dhe po kështu duket se veprojnë të gjitha institucionet publike.

Problemi në Shqipëri duket se nuk është thjeshtë të qenit të papregatitur në rastin e një krize të tillë. Problemi është mungesa totale e të menduarit për eficencën energjetike. P.sh., përgjatë viteve të fundit është tërhequr vëmendja e publikut kur në ndonjë shkollë fshati, nxënësve u është kërkuar që të furnizojnë vetë me dru klasën ku duhet të bëjnë mësim. Por një kaldajë me naftë për ngrohje ka gjasa që e zgjidh problemin e ngrohjes së shkollës me çmim shumë më të ulët se sa lënda drusore.

Sa i përket këshillave të qeverisë për kursim energjie, qeveria mund ta japë vetë shembullin e para duke zëvendësuar kondicionerët nëpër institucionet publike me sisteme me naftë për ngrohje ose me gaz.

Natyrisht që logjika ta do që nafta për ngrohje të mos taksohet me akcizë dhe me taksë qarkullimi, në mënyrë që, së paku institucionet e mëdha publike si spitalet, të mund ta përdorin atë për kaldajat e veta.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit