Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është deklaruar pas takimit me liderët e opozitës. Ai shkurt ka thënë se takimi ka shkuar “shumë mirë”, derisa ka dalë nga objekti i qeverisë.
Ndërkohë që liderët opozitarë kanë deklaruar se nga kreu i ekzekutivit nuk kanë dëgjuar asnjë plan konkret për të dalë nga situata në të cilën ndodhet vendi, pas largimit zyrtarëve serbë nga institucionet e vendit.
I pari që lëshoi takimin ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili në një postim në Facebook ka thënë se “Kurti mbante ligjërata e nuk sqaronte përse ka prishur raportet me Amerikën”.
Abdixhiku dhe Krasniqi: Kurti, pa plan dhe siguri për veriun e Kosovës
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në një prononcim për media pas takimit me Kurtin, tha se ndjehet i pasigurt nëse ky i fundit e dinë se në çfraë rruge ka hyrë apo se si do të dalë.
Këtë mendim ndau para mediave edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë plan për të dalë nga situata në të cilën ndodhet. Derisa shtoi se nga ky takim nuk pa gatishmëri të Kurtit për koordinim me ShBA-në.