-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shaban Murati: Busti i një alieni (mbi vendimin për t’i ngritur bust në Shqipëri ish-kryeministrit grek, Micotaqis)

Kryesoret

Kryeministri i Shqipërisë në datën 22 dhjetor 2022 i dha popullit sihariqin e madh se qeveria e tij me paret e taksapaguesve shqiptarë do t’i ngrejë një bust ish- kryeministrit grek Kostandin Micotaqis në territorin shqiptar të quajtur Derviçan.

Vendimi pataksi Greqinë, e cila askund, madje as në katundin e lindjes nuk i ka ngritur bust ish-kryeministrit grek. Micotaqis plak nuk ka asnjë minimum merite për marrëdhëniet dypalëshe. Merita e tij e vetme është se ishte nipi i kryeministrit famëkeq grek Elefteros Venizellos, urdhëruesi i masakrimit të dhjetra mijra shqiptarëve në jugun e Shqipërisë në 1914 dhe shpikësi i të ashtuquajturës “autonomi e Vorio Epirit”.

Në linjën e tij vazhdoi nipi kryeministër Kostandin Micotaqis. Për t’u hapur sytë sadopak bashkëtadhetarëve të mi të fjetur, po sjell një shkrim timin shkruar 30 vjet më parë për portretin e ish-kryeministrit grek Kostandin Micotaqis:

Merreni mbrapsht ultimatumin, Z. Micotaqis !

Në qarqet diplomatike në Tiranë dhe në Bruksel ishte e madhe ndjenja e lehtësimit pas hapave diplomatike të dialogut, të ndërmarrra nga Shqipëria në adresë të Greqisë, dhe ata vlerësuan gadishmërinë dhe sensin evropian të udhëheqjes shqiptare. Por akoma më i madh ishte zhgënjimi i tyre nga bateritë mesjetare, që ushtuan nga Athina, nëpërmjet deklaratave luftëndjellëse të kryeministrit grek, Kostandin Micotaqis. Që në Athinë po kërkojnë dhe krijojnë me qëllim tensione në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe në jugun e Ballkanit, kjo nuk ka asnjë dyshim për diplomatët dhe analistët seriozë, që ndjekin Ballkanin. Pyetja, që shtrohet është se, ku do të dalë Greqia me këto provokime, që po i bën tashmë hapur Shqipërisë, Evropës, SHBA. Më 14 korrik 1993, kryeministri i Greqisë, i cili datën e muajit e ngatërroi me datën e vitit, lëshoi një nga ultimatumet më absurd në historinë e ultimatumeve të kohës së luftës e të paqes bashkë.

Kryeministri i Greqisë shpall hapur dhe pa asnjë ekuivok platformën e vjetër shoviniste të Athinës kundër Shqipërisë, duke e avancuar atë me teza të reja akoma më të rrezikshme. Iluzioni i vjetër sa Greqia, i udhëheqësve grekë, se duke avancuar sa më shumë rivendikimet dhe pretendimet ndaj Shqipërisë do ta bëjnë atë që të cedojë e të trembet, e futi në lakun e vet edhe Micotaqisin, i cili doli vetë personalisht në këtë rol samuraji, duke i lehtësuar punën shpjeguese atyre, që formulojnë dhe kuptojnë politikën e jashtme në Tiranë, se vdiq zyrtarisht sllogani filogrek i sofolazrave të vjetër e të rinj për “qarqe të caktuara shoviniste” në Athinë. Kryeministri i një shteti fqinj, në mes të ditës dhe në prag të shekullit 21, del në mes të Athinës dhe shpall të drejtat e sundimit të Shqipërisë nga Greqia. Dhe kësaj rradhe nuk lëshoi vetëm një apo dy teza, por skicoi qartë një plan total të aneksimit të Shqipërisë, që fillon nga historia, vazhdon me kufijtë dhe politikën e mbaron me jetën shpirtërore dhe fenë.

Ne do t’ia falnim lapsusin kryeministrit të Burundit, që të ngatërronte ditën e pavarësisë së Shqipërisë, por kryeministrit të një shteti fqinj, që ka një moshë kur njeriu respektohet, pavarësisht nga kultura, dijet apo posti, ngatërrimi i datave paraqet një ambicje dhe politikë të caktuar ndaj fqinjit. Pse Micotaqis na caktoi vitin 1913, së pari do të thotë se kryeministri i shtetit fqinj, me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike  që në kohën e diktaturës së kolonelëve të zinj në Athinë dhe kolonelëve të kuq në Tiranë, nuk njeh dhe nuk pranon jo vetëm datën, por as pavarësinë e shtetit shqiptar.                                                                              Pse Micotaqis përmend 1913

Sepse është viti, ku qytetet dhe fshatrat shqiptare, që nga Janina e deri në Përmet, nga Saranda në Gjirin e Artës, ishin të pushtuara nga trupat greke, të cilat masakronin burrat, gratë, fëmijët dhe pleqtë shqiptarë. Pra, kryeministri i një shteti fqinj kërkon të ligjërojë situatën, kur Shqipëria dhe të gjithë tokat e saj ndodheshin nën sundimin grek.  Dhe pas këtyre provokacioneve historiko-politike, kryeministri grek lëshon njëri pas tjetrit kërcënimet, kërkesat arrogante dhe programin e tutelës greke mbi Shqipërinë.

Ai e shpall jugun e Shqipërisë tokë greke dhe natyrisht, e shoqëron me rivendikimin përkatës dhe thërret më kot në ndihmë edhe Homerin. Për Homerin dhe gjithë mendimtarët e mëdhenj të Greqisë antike, Epiri nuk ka qenë kurrë helen dhe shkruesit e fjalimeve të kryeministrit grek  do të bënin mirë të lexonin edhe një herë Tuqiditin, Herodotin, Strabonin etj. Përse kryeministri zgjodhi të flasë me gjuhën e programeve fashiste vorioepiriote, kjo është punë e tij, por ne kemi të drejtën t’i kujtojmë atij, që drejton qeverinë greke, se tokat shqiptare, në veri dhe në jugë, janë të Shqipërisë, dhe nëse ato pranuan bujqërit grekë në fillim të shekullit të kaluar për të punuar në tokat e pronarëve shqiptarë, kjo ishte shenjë e shpirtmadhësisë, do të thonin disa letrarë, ose e gabimit historik, do të thonin disa analistë.

Meqë ai, që i pretendon këto toka shqiptare është  kryeministri i një shteti fqinj dhe natyrisht, nuk e kapin dot ligjet shqiptare, ne kemi të drejtën t’i kujtojmë se tokat e Shqipërisë nuk do t’i prekin kurrë më ata, që jetojnë me nostalgjinë e kriminelëve ballkanikë të vitit 1913 dhe 1914.

Për herë të parë në mënyrë publike kryeministri Micotaqis paraqet një nga pikat bazë të programit aneksionist grek kundër Shqipërisë, atë të kolonizimit të Shqipërisë së Jugut me kolonë grekë. Me një paturpësi të paparë edhe për një politikan apo prift province, ai i kërkoi qeverisë shqiptare që të lejojë kolonizimin e jugut të Shqipërisë dhe të vendosë atje dhjetëra mijëra grekë në të ashtëquajturin Vorio-Epirit. Zoti Micotaqis shpik historira të të ashtuquajturve dëbime masive të grekërve që nga viti 1944 dhe gjatë gjithë regjimit të Enver Hoxhës.

Kjo bëhet për të mbuluar dëbimet masive të dhunshme të 200 mijë çamëve nga tokat e tyre në veri të shtetit grek pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo është kaq e vërtetë, sa dhe në konferencë shtypi më 14 korrik, ai u detyrua të pranojë tërthorazi se kjo popullsi është dëbuar, duke lëshuar shpifjet, përsëri të padenja për një burrë shteti, se “kanë bashkëpunuar me nazistët”. Ç’do të thoshte Micotaqis për Greqinë e kohës së Metaksait, për atë pjesë të popullit grek që bashkëpunoi hapur me nazizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore, por ç’do të thoshte edhe për vetë popullin gjerman? Gjatë periudhës së Enver Hoxhës nuk ka pasur kurrë dëbime masive, sepse nuk mund të ketë dëbime masive me një masë prej 20-30 mijë emigrantësh grekë, siç janë minoritarët në jugë. Nuk ka pasur kurrë dëbime masive, sepse politika e Enver Hoxhës ndaj minoritetit ka qenë trajtimi më i mirë se vetë populli shqiptar, ka qenë një politikë antishqiptare, e cila meriton një shkrim tjetër.

Përrallat apo ëndërrat e dëbimeve i duhen Micotaqisit të kërkojë sjelljen në Shqipëri të dhjetra mijëra grekëve dhe t’i vendosë ata në tokat shqiptare. Kjo është e padëgjuar në historinë moderne të marrëdhënieve midis vendeve evropiane, por kryeministri i Greqisë bëri mirë që e tha, sepse i bëri të njohur publikut ballkanik e evropian, atë që ne e dinim prej kohësh-planet e kolonizimit të Shqipërisë nga Greqia.

Por zoti Micotaqis dhe priftërinjtë e tjerë të politikës greke le të vazhdojnë të shohin ëndërra në diell. Ne mund ta sigurojmë së shqiptarët e sotëm nuk do të bëjnë kurrë gabimin historik të gjyshërve të tyre të shekullit të kaluar.

Në mënyrë më të pazakontë për një kryeministër të një shteti fqinj, Kostantin Micotaqis kërkon t’i diktojë shtetit shqiptar se si duhet të ndërtojë strukturat e tij shtetërore, si duhet të organizojë administratën publike, si duhet të administrojë sistemin arsimor, kë duhet të zgjedhë në organet shtetërore, ekzekutive e legjislative, si duhet të bëjë privatizimin dhe, madje, si duhet të bëjë regjistrimin e popullit shqiptar. Ndërhyrje më e paturpshme vështirë se mund të gjendet. Ai arrin gjer në pikën delirante, kur merr përsipër të përfaqësojë të gjithë ortodoksët e Shqipërisë dhe të mësojë popullin shqiptar se si duhet të organizojë jetën e tij shpirtërore e fetare.

Në rolin e një  kryeprifti të Greqisë, ai kërkon të drejtojë Kishën Ortodokse Shqiptare, madje kërcënon Tiranën që të vërë gjuhën greke në kishat shqiptare. Kjo është mjaft, zoti Micotaqis.

Meqë ju jetoni në shekullin e kaluar, ne do ta themi liturgjinë në gjuhën greke kur ju ta thoni atë në gjuhën maqedonase apo bullgare. Ç’do të thoshte zoti Micotaqis po të ngrihej Gligorovi të kërkonte në të gjithë Greqinë meshat të thuheshin maqedonisht, ose të ngrihej Zhelevi e të kërkonte që meshat në gjithë Greqinë të thuheshin bullgarisht ?

Në shovinizëm kisha greke dhe shteti grek, janë të pandarë, por le të rrinë bashkë, siç rrinë në kushtetutën greke, duke qenë shteti i vetëm  evropian që nuk e ka të ndarë kishën nga shteti dhe ku nuk merret vesh se ku është shteti e ku është feja. Le t’i ngatërrojnë gjërat e tyre në Greqi, por Shqipërinë le ta lënë rehat.

Kryeministri grek e kërcënon Shqipërinë me minoritetin grek, që jeton në tokat shqiptare në jugë të Shqipërisë. Përveç tezave tashmë bajate për keqtrajtimin e minoritetit prej 60 mijë vetash, ai hedh në publik, për herë të parë në atë nivel, tezën e rrezikshme dhe provokative të barazimit të çështjes së Kosovës me atë të minoritetit grek në Shqipëri. Kjo është njëlloj sikur ne t’i vinim kusht për trajtimin e minoritetit grek në Shqipëri të drejtat e minoritetit turk në Greqi dhe t’i thonim Micotaqisit se do të lejojmë për minoritetin grek në Shqipëri atë që Athina do të lejojë për minoritetin turk në Greqi.

Natyrisht ne e kemi kaq logjikë, saqë të mos ulemi deri  aty ku zbret Micotaqis, por mund t’i themi kryeministrit grek, që tashmë ne mund dhe do të barazojmë trajtimin e minoritetit grek në Shqipëri me të drejtat e minoritetit shqiptar në Greqi, të popullsisë çame, myslimane e ortodokse, dhe të arvanitasve.

Sa për Kosovën, ne e kemi  të qartë se Micotaqis e lëshon provokimin në një kombinacion më të madh se sa marrëdhëniet dypalëshe. Ai e lëshon për të ngatërruar në një plan ballkanik dhe për të gjetur një kasus belli për ta shtrirë konfliktin në jugë të Ballkanit. Është e qartë, dhe po bëhet çdo ditë e më shumë, se Athina kërkon konflikte në jugë të Gadishullit, sepse një konflikt parashikohet nga strategët e shovinizmit grek si një rast i artë për të lëshuar ushtritë greke në Shqipëri e Maqedoni, për të masakruar popullsitë jogreke dhe për të zaptuar tokat shqiptare e maqedonase. Të kërkosh të barazosh minoritetin grek prej  60 mijë vetash, që ka ardhur si emigrant në Shqipëri, me popullin shqiptar 2 milionë vetësh në Kosovë, që jeton në trojet e veta etnike; të barazosh një pakicë ardhësish me një popullsi autoktone, e cila ka qenë element konstitutiv i federatës jugosllave; dhe zgjidhja reale e krizës jugosllave kërkon respektimin e këtyre elementëve, do të thotë  jo vetëm të ngatërrosh ujrat, por edhe të afishosh pretendime shoviniste e territoriale  ndaj Shqipërisë.

Me këtë rast kryeministri grek shpalli hapur armiqësinë e tij kundër popullit shqiptar, duke kërcënuar se ai do të pengojë çdo përpjekje të Komunitetit Ndërkombëtar për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. Që Athina është aleate e Beogradit dhe armike e popullit shqiptar, kjo është një aksiomë, por që Micotaqis të dilte kaq hapur me armiqësinë e tij kundër Kosovës, kjo do të thotë se ai dhe Milosheviçi janë tërbuar nga politika dhe strategjia e Komunitetit Evropian për zgjidhjen e krizës jugosllave  në përgjithësi, dhe të çështjes së Kosovës në veçanti.

Por është fat që Greqia, si vend i vogël dhe si vendi më i varfër i Komunitetit Evropian, nuk ka peshë të devijojë politikën e Komunitetit Evropian, me të gjitha ngatërresat proçeduriale e burokratike dhe spekullimet banale, që i  bën Komunitetit lidhur me Shqipërinë e Ballkanin. Në Athinë, duhet të kenë zënë kaq mend sa të kujtojnë se Komuniteti Evropian i injoroi me të drejtë edhe kërcënimet e tjera të liliputit nga Athina lidhur me fazat e tjera të krizës jugosllave. Dhe që Evropa e Amerika nuk do ta dëgjojnë Athinën as për Kosovën e Maqedoninë, e tregoi qartë dërgimi e vendosja e trupave amerikane në Maqedoni.

Minoriteti në Shqipëri ka gëzuar në mënyrën më absurd të drejta më të mëdha se populli shqiptar në kohën e diktaturës dhe po gëzon edhe sot të drejta shumë më të mëdha se populli shqiptar. Në Athinë mund të përplasin këmbët e të ngrenë furtuna në gota uji në Strasburg apo në Bruksel, por fakti është se minoriteti grek në Shqipëri gëzon të drejta, që shkojnë deri në absurditet.

Le të thotë zoti Micotaqis se ç’të drejta ka minoriteti turk në Greqi, sa turq ka në administratën publike e shtetërore greke, sa parti politike turke ka në parlamentin grek, sa është futur turqishtja si gjuhë në sistemin arsimor grek dhe sa shanse u ka krijuar qeveria greke minoritetit turk në administratën qëndrore dhe pjesëmarrje esenciale në mjetet shtetërore të informacionit? A ka dërguar Athina ndonjë ambasador nga minoriteti turk të përfaqësojë Greqinë, a ka bërë ministra turq në kabinet zoti Micotaqis dhe a ka lejuar funksionimin e lirë të organizatave politike turke në Greqi? Po të ndalet qeveria greke, qoftë dhe një sekond në këto pyetje, do të kuptojë se minoriteti grek në Shqipëri është minoriteti më i mirëtrajtuar në Ballkan dhe në Evropë.

Kryeministri grek dhe gjithë ministrat grekë, ashtu si dhe soziet e tyre në disa parti politike shqiptare, po lozin si macja me fillin e perit me kartën e emigrantëve shqiptarë dhe që nga mëngjesi deri në darkë, po thërasin “ ju ndihmuam, po të mos ishim ne do të vdisnit”. E para, nuk është ndihmë ajo që i përmendet tjetrit gjithë ditën e gjithë natën. E dyta, emigracionin nuk e shpiku Shqipëria dhe nuk ishte ajo vendi i parë nga i cili ikën mijëra vetë. Nuk i kemi dëgjuar kurrë politikanët gjermanë t’i thonë, as ditën e as natën, as popullit hungarez e as popullit polak: “ne ju ndihmuam, po të mos ishim ne ju do të vdisnit”. Nuk i kemi dëgjuar politikanët gjermanë t’i mburren popullit turk se po ju mbajmë me bukë, se kemi 2 milion emigrant turq në Gjermani dhe nuk kemi dëgjuar as politikanët francezë të mburren para popullit algjerian se ne po ju mbajmë me bukë, se kemi 2 milionë algjerianë.

Natyrisht, nuk kemi dëgjuar as partitë politike turke, algjeriane, polake, bullgare, rumune etj., t’u falen shteteve emigrantpranuese se “po të mos ishit ju, do të kishim vdekur”. Micotaqis, jo vetëm spekullon me kartën e emigrantëve, por ka arritur të bëjë edhe regjistrimin e emigrantëve shqiptarë, edhe në shtetet e tjera, duke thënë se në Greqi ka më tepër emigrant se sa në çdo vend tjetër të botës. Së pari, duhet thënë se shteti e qeveria greke gënjejnë me numrin e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Ndoshta në fillimet mund të kenë qenë 200 mijë, por pas gjithë këtyre dëbimeve masive herë pas here, askush nuk mund t’i besojë më përrallës së 200 mijë vetëve. Qeveria greke nuk i ka paraqitur kurrë qeverisë shqiptare listat e emigrantëve shqiptarë, që ndodhen në Greqi, dhe në asnjë rast, në asnjë konferencë apo forum, qeveria greke nuk ka paraqitur asnjë dokument apo argument se janë 200 mijë.

Ku i numëroi Micotaqis? Nëse i ka numëruar, le t’i japë listat qeverisë shqiptare dhe, nëse nuk i ka numëruar, të mos na bëjë aritmetika fëminore nëpër konferenca shtypi. Zoti Micotaqis nuk është i zoti të japë shifra reale për Greqinë, si ka mundur vallë t’i numërojë shqiptarët në Turqi, që janë dhjetëra herë më shumë se në Greqi, si ka arritur t’i numërojë në Evropën Perëndimore, ku janë disa herë më shumë se në Greqi, si ka arritur t’i numërojë në SHBA, ku janë disa herë më shumë se në Greqi?

Një kryeministër i një shteti fqinj lipset të jetë serioz si brenda vendit të tij, aq më tepër në marrëdhëniet me shtete fqinj. Por serioziteti dhe arsyeja janë atribute që diplomacia greke as i ka njohur dhe as nuk po i njeh dhe që as shkolla e Brukselit nuk ia mësoi dot.

Sigurisht, pas gjithë këtyre kërcënimeve, provokimeve, rivendikimeve flagrante, nuk mund të mos ndalesh pak edhe në motivet, që e shtyjnë Micotaqisin dhe Athinën të provokojë në mënyrë kaq amatoreske dhe të kërkojë pretekste pas pretekstesh për tensione.

Në Athinë nuk duan dhe nuk pëlqejnë që Shqipëria Demokratike dhe politika shqiptare po fitojnë një përkrahje gjithnjë e më të madhe në arenën ndërkombëtare. Atyre nuk u pëlqen që situata në Shqipëri të shkojë drejt stabilizimit, sepse stabilizimi i pengon politikës shoviniste greke dhe agjenturës së saj në Shqipëri. Asaj nuk i pëlqen që populli shqiptar, pavarësisht nga bindjet ideologjike apo përkatësitë partiake, kur vjen puna për çështjen kombëtare nuk të fal, por bashkohet i tëri.

Në Athinë nuk u pëlqen që Komuniteti Evropian dhe e gjithë Evropa gjithnjë e më tepër po e izolojnë Greqinë dhe e kanë dënuar hapur tërë politikën greke në Ballkan dhe në mënyrë të veçantë bashkimin me Serbinë dhe Milosheviçin. Greqinë e kanë braktisur tashmë edhe ato shtete evropiane, që tradicionalisht e kanë mbështetur më parë- dhe kohët e fundit shtypi grek e ka pohuar shumë këtë fenomen.

Në Athinë nuk u pëlqeu që Komuniteti Evropian, KSBE dhe SHBA dënuan vendimin e Beogradit për ndalimin e misionit të KSBE-së në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, në Athinë u tërbuan pas vendimit të SHBA për dërgimin e trupave të tyre në Maqedoni. Jo rastësisht, në të njejtën kohë, edhe Micotaqis, edhe Papandreu, sulmuan me një vrazhdësi (jodiplomatike, por as me normat elementare të mirësjelljes), qeverinë amerikane për dërgimin e trupave në Maqedoni. Jo rastësisht, Micotaqis zgjodhi për të ndërmarrë provokimet dhe kërcënimet tensionprurëse kundër Shqipërisë, pikërisht ditën pas njoftimit të mbërritjes së kontigjentit amerikan në Maqedoni. Vendosja e trupave amerikanë i prish planet Milosheviçit, i prish planet edhe Micotaqisit, sepse nuk i lejon që flakët e luftës të përhapen në Kosovë e Maqedoni, siç duan Athina dhe Beogradi.

Nga Athina po fryjnë erërat më të këqija të diplomacisë mesjetare bizantine dhe orët e diplomacisë e të politikës greke kanë mbetur në mesjetë. Në qarqet diplomatike e politike të rëndësishme evropiane po e kuptojnë dhe po e shprehin gjithnjë e më hapur se në Athinë ka mbetur dhe po fryn era e luftës së ftohtë.

Këtu dalin dy probleme. E para ka të bëjë me anëtarësinë e Greqisë në KE, anëtarësi që nuk mund të jetë pasaportë e përjetshme për të lozur në qetësi misionin e ngatërrestarit ballkanik e evropian. Ekspertët juridikë evropianë po studiojnë klauzolat e traktatit themelues, që vërtet nuk lejon përjashtime nga komuniteti, por Komuniteti ka kaq mjete ligjore, institucionale, politike dhe ekonomike, saqë të bllokojë një vend deri në statusin e të mosqënit anëtar. Të jesh në Evropë nuk mjafton të kesh hyrë një ditë në derën që quhet Komunitet dhe të sillesh si në kohën e Stalinit dhe të Kaldarisit.

Problem i dytë del ai i klasës politike që drejton sot Greqinë, e cila nuk po kupton as politikën evropiane dhe nuk po kupton se edhe ajo duhet të përshtatet me kohën dhe me ndryshimet që sollën revolucionet demokratike në Evropën Lindore dhe në Ballkan. Micotaqis, Papandreu e co janë relike të luftës së ftohtë, me gjithë klasën e tyre politike. Dhe nëse ajo nuk po kupton këtë, a nuk ka ardhur koha, vallë, që edhe në Greqi të ndërrohet klasa politike në fuqi dhe të vijë një e re, që të kuptojë si ditët që jetojmë, ashtu dhe shekullin ku po hyjmë? Ky është një mendim që po kristalizohet gradualisht në shumë qarqe të rëndësishme politike në Bruksel, Uashington e gjetkë.

Kryeministri grek Micotaqis dhe qeveria e tij duhet të kuptojë se me deklaratat, tezat dhe platformën e gjerë shoviniste e kolonizuese që shpalli, i vuri marrëdhëniet shqiptaro-greke në një intonim të ri, të cilin diplomacia dhe politika shqiptare nuk mund të mos e marrë parasysh në të gjitha drejtimet. Për pasojat që ky intonim do të ketë në marrëdhëniet shqiptaro-greke apo në minoritetin grek, për këtë le të mbajnë përgjegjësinë ata që në Athinë mendojnë se jemi në fillim të shekullit.

Shqipëria dhe populli shqiptar e kanë të qetë ndërgjegjen historike dhe jo me njolla gjaku e grabitje trojesh e popujsh si fqinjët. Me këtë ndërgjegje të qetë historike dhe me sigurinë, që na jep ekzistenca shumëmijravjeçare në këto troje, ne kemi zërin dhe të drejtën t’i themi kryeministrit grek: “Merreni mbrapsht ultimatumin, zoti Micotaqis!”.

Botuar 18.7.1993

(Nga libri “Hije në diplomacinë shqiptare”, 2012, fq.34)

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit