Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price u shpreh se Shtetet e Bashkuara ndihen të shqetësuara se Rusia mund të përdorë armëpushimin e përkohshëm në Ukrainë për t’u rigrupuar dhe më pas për të intensifikuar sulmin e saj.
“Ne jemi të shqetësuar se Moska mund të përdorë pauzën e mundshme në luftime për t’u riarmatosur, rigrupuar dhe sulmuar përsëri,” tha ai.
Sipas përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit Uashingtoni i trajton me skepticizëm deklaratat e Rusisë për një armëpushim të përkohshëm.
Në të njëjtën kohë zëvendës ndihmës sekretarja e mbrojtjes, Laura Cooper vuri në dukje se qëllimi i presidentit rus, Vladimir Putin për të kapur territorin ukrainas nuk ka ndryshuar, por forcat ruse ende vuajnë nga dobësitë ushtarake duke përfshirë numrin e trupave.
“Putin nuk ka braktisur qëllimet e tij për të dominuar Ukrainën dhe për të vazhduar të fitojë territore ,” tha Cooper.
“Por realiteti i dobësive ruse është përplasur me këto qëllime ,” tha Cooper, duke shtuar se trupat ruse gjithashtu vuajnë nga morali i ulët.