Turqia ka denoncuar një video të publikuar nga një grup i afërt me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Suedi, e cila tregon protestuesit duke varur një manekin të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan jashtë bashkisë së Stokholmit nga këmbët.
Protestuesit gjithashtu e quajtën presidentin turk një “diktator”.
Videoja e postuar në Twitter nga Komisioni Rojava tregon ekzekutimin e diktatorit italian Benito Mussolini në vitin 1945 i ndjekur nga figura e Erdoganit të varur në litar.
“Historia ka treguar se ky është fundi i diktatorëve. Është koha që Erdogan të japë dorëheqjen përpara se të përfundojë i varur në Taksim.“
Ambasadori i Suedisë në Ankara, Staffan Herström është thirrur sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë ku i është bërë protestë.
Një burim nga diplomacia turke tha se reagimi i Ankarasë për gjestin iu përcoll atij
“U theksua pritshmëria jonë që autorët e incidentit të identifikohen, të kryhen procedurat e nevojshme dhe Suedia të mbajë premtimet e saj”, shtoi burimi.
Ministria e Jashtme e Suedisë konfirmoi se ambasadori ishte thirrur në ministrinë e jashtme në Ankara, por nuk pranoi të shtjellonte se çfarë u diskutua.
Herström u thirr gjithashtu në tetor në Ministrinë e Jashtme turke e cila më pas u ankua për një “përmbajtje fyese” për Erdoganin që u shfaq në televizionin publik suedez.
Ministri i Jashtëm suedez, Tobias Billstrom tha sot se Stokholmi e dënoi incidentin.
“Qeveria mbron një debat të hapur për zgjedhjet politike, por distancohet fuqishëm nga kërcënimet dhe urrejtja kundër përfaqësuesve politikë. Përshkrimi i ekzekutimit të një presidenti të zgjedhur jashtë Bashkisë është i neveritshëm”, shkroi ai në Twitter.