Stefan Stojanoviç, 11-vjeçari që u plagos në afërsi të Shtërpcës më 6 janar ka dalë nga spitali për të vazhduar mjekimin në shtëpi.
Nëna e tij, Zorica Stojanoviç, ka konfirmuar për televizionin publik serb se djali i saj ka dalë sot nga spitali në Graçanicë.
Ajo deklaroi se djali i saj është mirë me shëndet dhe se po bashkohet me pjesën tjetër të familjes.
Serbi 21-vjeçari që u qëllua me armë zjarri po në Shtërpcë ka dalë nga spitali për mjekim shtëpiak që me 9 janar.
Sipas raportimeve të mediave serbe në Kosovë gjendja e të riut të plagosur ishte stabël dhe ai do të mund t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore në Shtëpinë e Shëndetësisë në Shtërpcë.
Stefan Stojanoviç dhe Millosh Stojanoviç mbetën të plagosur më 6 janar nga një ushtar i Forcave të sigurisë së Kosovës.
Gjykata Themelore në Ferizaj, më 8 janar në bazë të kërkesës së Prokurorisë ka caktuar një muaj paraburgim për pjesëtarin e FSK-së, A. K i cili dyshohet se kreu plagosjen.