Sot në orën 16:00 deputetët i rikthehen diskutimeve në Kuvend, pas pushimeve të fundvitit. Në këtë seancë kryeparlamentarja Lindita Nikolla pritet të njoftojë zyrtarisht ndryshimet në grupin parlamentar të PD, përjashtimin e 4 deputetëve, Belind Këlliçi, Tritan Shehun, Oerd Bylykbashi e Agron Shehajn.
Këto përjashtime sollën përplasje në distancë mes demokratëve, ndërsa paralel me të nisi mbledhja e firmave për shkarkimin e Enkelejd Alibeajt.
Në sesionin e ri parlamentar, ligjvënësit kanë disa sfida të rëndësishme. Ligji për bashkëpunëtorët e ish sigurimit, do të jetë prioritet për socialistët, ku personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit nuk do të mund të zgjidhen më në asnjë post të rëndësishëm e aq më pak të kandidojnë për deputet apo kryetarë bashkie Kjo pikë i ka kaluar komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.
Një pikë shumë e rëndësishme është zgjedhja e emrit të ri të Avokatit të Popullit, pasi në mazhoranca dhe opozita nuk gjetën dakortësi gjatë vitit të kaluar.
Dy nisma të tjera të rëndësishme që do të jenë prioritet për qeverinë janë edhe amnistia fiskale dhe pasaportat e arta.
Kuvendi i zhvillon punimet vjetore kalendarike në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Data e mbarimit të sesionit dhe ora e fillimit të sesionit të ri të punimeve të Kuvendit njoftohen nga Kryetari i Kuvendit. Fillimi i çdo sesioni të ri parlamentar bëhet me seancë plenare të Kuvendit, e cila do të zhvillohet ditën e hënë ora 16:00.